Izraeli intensifikoi sulmet në Gaza disa orë pasi u njoftua një armëpushim dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve, thanë banorët dhe autoritetet në enklavën palestineze.
Marrëveshja komplekse e armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant Hamas, i cili kontrollon Gazën, u arrit të mërkurën pas muajsh ndërmjetësimi nga Katari, Egjipti dhe SHBA.
Marrëveshja përshkruan një armëpushim fillestar gjashtë-javor e cila përfshin tërheqjen graduale të forcave izraelite nga Rripi i Gazës, ku dhjetëra mijëra persona janë vrarë. Pengjet e marrë nga Hamasi do të lirohen në këmbim të të burgosurve palestinezë të ndaluar nga Izraeli.
Në një konferencë shtypi në Doha, kryeministri i Katarit Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani tha se armëpushimi do të hyjë në fuqi të dielën. Negociatorët po punojnë me Izraelin dhe Hamasin për hapat për zbatimin e marrëveshjes, tha ai.
“Kjo marrëveshje do të ndalojë luftimet në Gaza, do të shtojë ndihmën humanitare shumë të nevojshme për civilët palestinezë dhe do të ribashkojë pengjet me familjet e tyre pas më shumë se 15 muajsh në robëri,” tha presidenti amerikan Joe Biden në Uashington.
Pranimi i marrëveshjes nga Izraeli nuk do të jetë zyrtar derisa të miratohet nga kabineti i sigurisë dhe qeveria e vendit, me votat e planifikuara për të enjten, tha një zyrtar izraelit.
Bombardimet e rënda izraelite, veçanërisht në qytetin e Gazës, vranë 32 persona vonë të mërkurën, thanë mjekët. Sulmet vazhduan herët të enjten dhe shkatërruan shtëpi në Rafah në Gazën jugore, Nuseirat në Gazan qendrore dhe në Gazën veriore, thanë banorët.
Ushtria izraelite tha se militantët e Gazës hodhën një raketë në Izrael të enjten, duke mos shkaktuar viktima.
© SYRI.net