Një armëpushim që do të çojë në përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit duket se është më afër se kurrë më parë.
Përpjekjet shteruese në Doha dhe “ultimatumi” i presidentit të zgjedhur Donald Trump për zgjidhje përpara datës 20 janar, kanë ndezur shpresat se brenda orëve të ardhshme palët do t’i japin dritën jeshile marrëveshjes.
Ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe SHBA, të gjithë janë shprehur optimist pas bisedimeve maratonë që kanë zgjatur për ore me radhë, në dy ditët e fundit.
Izraeli e ka pranuar propozimin ndërsa fjalën e fundit e ka Hamasi, i cili po shqyrton në detaje hartën që tregon se si do të tërhiqen forcat e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës.
Grupi militant i cili ishte iniciator i këtij konflikti është rraskapitur në 15 muajt e fundit me liderët më të lartë dhe qindra zyrtarë e militantë të tjerë të vrarë nga Izraeli.
Skicat e përgjithshme të marrëveshjes që po diskutohet aktualisht kanë qenë në fuqi që nga mesi i vitit 2024 por Trump ka paralajmëruar palët të bien dakord para inaugurimit të tij javën e ardhshme.
Nëse është i suksesshëm, propozimi i planifikuar në tre faza do të ndalte luftimet në Gazën e shkatërruar, do të çonte në shtëpi pengjet izraelitë të marrë nga Hamasi në 7 tetor 2023, do të lironte mijëra palestinezë nga burgjet e Izraelit dhe do të rikthente qetësinë në të gjithë Lindjen e Mesme.
© SYRI.net