Ndërmjetësuesit amerikanë dhe arabë kanë bërë njëfarë përparimi në përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, por jo mjaftueshëm për të nënshkruar një marrëveshje, thanë të enjten burime palestineze pranë bisedimeve.
Ndërsa bisedimet vazhdonin në Katar, ushtria izraelite kreu sulme në të gjithë enklavën, duke vrarë të paktën 23 persona të enjten, thanë mjekët palestinezë.
Sipas ministrisë së shëndetësisë së territorit, numri i viktimave ka shkuar në 76 persona të vrarë nga sulmet izraelite në të gjithë Gazën në 24 orët e fundit.
Katari, SHBA dhe Egjipti po bëjnë një shtytje të madhe për të arritur një marrëveshje për të ndalur luftimet në konfliktin 15-mujor dhe për të liruar pengjet e mbetura, të mbajtura nga grupi islamik Hamas, përpara se presidenti Joe Biden të largohet nga detyra.
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka paralajmëruar se do të ketë ‘ferr për t’u paguar’, nëse pengjet nuk lirohen nga inaugurimi i tij më 20 janar.
Të enjten, një zyrtar palestinez i afërt me përpjekjet e ndërmjetësimit tha se mungesa e një marrëveshjeje deri më tani, nuk do të thotë se bisedimet nuk po shkonin askund dhe kjo ishte përpjekja më serioze deri më tani.
"Ka negociata të gjera, ndërmjetësit dhe negociatorët po flasin për çdo fjalë dhe çdo detaj. Ka një përparim kur bëhet fjalë për ngushtimin e boshllëqeve të vjetra ekzistuese, por nuk ka ende marrëveshje," i tha ai Reuters, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Të martën, Izraeli tha se ishte plotësisht i angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje për kthimin e pengjeve, por përballet me pengesa nga Hamasi.
Të dy palët kanë qenë në një ngërç për një vit, për dy çështje kyçe. Hamasi ka thënë se do të lirojë pengjet e tij të mbetura, vetëm nëse Izraeli pranon t'i japë fund luftës dhe të tërheqë të gjitha trupat e tij nga Gaza. Izraeli thotë se nuk do t'i japë fund luftës, derisa Hamasi të shpërbëhet dhe të gjithë pengjet të jenë të lirë.
KRIZË E RËNDË HUMANITARE
Të enjten, numri i të vdekurve nga sulmet ushtarake të Izraelit, përfshinte tetë palestinezë të vrarë në një shtëpi në Jabalia, më i madhi nga tetë kampet historike të refugjatëve të Gazës. Nëntë të tjerë, duke përfshirë një baba dhe tre fëmijët e tij, vdiqën në dy sulme ajrore në dy shtëpi në Gaza qendrore, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Dhjetra njerëz mbërritën në spitalin në Deir Al-Balah në Gaza qendrore për të vajtuar të afërmit e tyre të vdekur dhe për të marrë trupat e tyre, të mbështjellë me qefine të bardha, në varre.
"Nuk ka asnjë siguri në vend, as për një fëmijë, një grua, një të moshuar, as për gurë, as pemë, as kafshë, as zogj apo asgjë. Të gjithë janë në shënjestër, pa paralajmërim paraprak," tha banori Adel Al- Mansi.
Më vonë të enjten, gjashtë palestinezë u vranë në dy sulme ajrore të veçanta, katër prej tyre në një shkollë që strehonte familjet e zhvendosura pranë Jabalia në Rripin verior të Gazës, thanë mjekët.
Nuk kishte asnjë koment ushtarak izraelit për incidentet e së enjtes.
Në një fjalim të mbajtur nga një ndihmës, Papa Françesku shtoi kritikat e tij të fundit për fushatën ushtarake të Izraelit në Gaza, duke e quajtur situatën humanitare "shumë serioze dhe të turpshme".
"Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët po ngrijnë deri në vdekje, sepse spitalet janë shkatërruar ose rrjeti energjetik i një vendi është goditur."
Nuk pati asnjë koment nga Izraeli për komentet e Papës.
Izraeli mohon se ka penguar ndihmën humanitare për Gazën.
Më shumë se 46,000 njerëz janë vrarë në luftën e Gazës, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë. Pjesa më e madhe e enklavës është shkatërruar dhe shumica e 2.1 milionë njerëzve të territorit janë zhvendosur disa herë dhe përballen me mungesë akute të ushqimit dhe ilaçeve, thonë agjencitë humanitare.
Izraeli filloi sulmin e tij në Gaza, pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 250 pengje, sipas të dhënave izraelite.
Të mërkurën, ushtria izraelite tha se trupat kishin gjetur trupin e pengut beduin izraelit, Youssef Al-Ziyadna, së bashku me provat që ende po shqyrtoheshin që sugjeronin se djali i tij Hamza, i marrë në të njëjtën ditë, mund të ishte gjithashtu i vdekur./ Reuters.
© SYRI.net