Trump trazon dynjanë/ Batuta e presidentes së Meksikës: Më mirë 'Amerika meksikane'

Trump trazon dynjanë/ Batuta e presidentes së Meksikës: Më mirë 'Amerika meksikane'

15:54, 09/01/2025

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, iu përgjigj me ironi komenteve të presidentit të zgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, i cili propozoi që Gjiri i Meksikës të riemërohet si "Gjiri i Amerikës", dhe ajo kishte faktet për t’i kundërshtuar. 

“Është e qartë që Gjiri i Meksikës është një emër i njohur nga Kombet e Bashkuara,” tha Sheinbaum të mërkurën gjatë konferencës së saj të përditshme për shtyp, duke hedhur poshtë komentet e Trump-it. 

Më pas ajo tregoi një hartë historike që ilustronte territoret e dikurshme të Amerikës së Veriut, ku pjesë të Shteteve të Bashkuara bashkëkohore ishin të shënuara me emrin “America Mexicana.” 

“Pse të mos e quajmë ‘Amerika meksikane’?” pyeti ajo me sarkazëm në spanjisht. “Duket bukur, apo jo?” 

Trump, gjatë një konference për shtyp të martën në Mar-a-Lago, tha se do të riemërtonte Gjirin e Meksikës për nder të SHBA-ve, duke thënë se është “e përshtatshëm.” Sipas Trump-it, “Gjiri i Amerikës” “tingëllon bukur.” 

“Sepse e di që do të më pyesin, mendoj që dje presidenti Trump ishte i keqinformuar, me gjithë respektin për presidentin Trump,” tha Sheinbaum me ironi. “Sepse mendoj që ai është informuar se në Meksikë ende qeveriste Felipe Calderón dhe García Luna,” shtoi ajo, duke iu referuar ish-presidentit të Meksikës dhe Sekretarit të tij për Sigurinë Publike, të cilët u larguan nga pushteti në vitin 2012. García Luna vitin e kaluar u dënua me mbi 38 vjet burgim në SHBA për pranimin e ryshfeteve nga karteli i drogës Sinaloa. 

“Por jo. Në Meksikë, qeveris populli,” shtoi ajo. 

Ky shkëmbim humoristik batutash mund të parashikojë dinamikën e marrëdhënieve mes Trump-it dhe Sheinbaumit, pasi Trump ka premtuar të vendosë tarifa të larta doganore ndaj vendit të saj dhe të ndërtojë një mur në kufirin e përbashkët. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco