Një gjykatë federale e Apelit në SHBA miratoi të premten një ligj, që kërkon që ByteDance me bazë në Kinë të heqë dorë nga aplikacioni i saj popullor i videove të shkurtra TikTok në Shtetet e Bashkuara, deri në fillim të vitit të ardhshëm ose do të përballet me një ndalim.
Vendimi është një fitore e madhe për Departamentin e Drejtësisë dhe kundërshtarët e aplikacionit me pronësi kineze dhe një goditje shkatërruese për ByteDance-n mëmë të TikTok. Ai rrit ndjeshëm perspektivat e një ndalimi të paprecedentë në vetëm gjashtë javë, në një aplikacion të mediave sociale të përdorur nga 170 milionë amerikanë.
TikTok planifikon të apelojë vendimin në Gjykatën e Lartë.
Në detajet e mbështetjes së tyre për ligjin, gjykata e Apelit vuri në dukje se ishte rezultat i punës së bashku, i republikanëve dhe demokratëve, si dhe dy presidentëve, si "pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t'iu kundërvënë një kërcënimi të argumentuar të sigurisë kombëtare, të paraqitur nga Republika Popullore e Kinës.
Departamenti i Drejtësisë thotë se nën pronësinë kineze, TikTok përbën një kërcënim për shkak të aksesit të tij në të dhënat e mëdha personale të amerikanëve, duke pohuar se Kina mund të manipulojë fshehurazi informacionin që amerikanët konsumojnë nëpërmjet TikTok.
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, e quajti vendimin "një hap të rëndësishëm në bllokimin e qeverisë kineze nga armatizimi i TikTok".
Por ambasada kineze në Uashington e quajti ligjin "një akt të hapur të grabitjes tregtare" dhe paralajmëroi Shtetet e Bashkuara , se "duhet ta trajtojnë këtë rast në një mënyrë të kujdesshme, për të shmangur dëmtimin e besimit të ndërsjellë midis dy vendeve dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe".
Vendimi vjen në mes të rritjes së tensioneve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, pasi administrata e presidentit Joe Biden vendosi kufizime të reja në industrinë e çipave të Kinës dhe Pekini u përgjigj duke vendosur një ndalim të plotë të eksporteve të galiumit, germaniumit dhe antimonit në Shtetet e Bashkuara.
Gjyqtarët e gjykatës së Apelit të SHBA Sri Srinivasan, Neomi Rao dhe Douglas Ginsburg hodhën poshtë sfidat ligjore të paraqitura nga TikTok dhe përdoruesit kundër ligjit, i cili i jep ByteDance afat deri më 19 janar për të shitur ose zhveshur asetet e TikTok në SHBA, ose do të përballet me një ndalim.
Vendimi – nëse Gjykata e Lartë nuk e anulon atë – e vendos fatin e TikTok në duart e presidentit Biden, për të dhënë një zgjatje 90-ditore të afatit të 19 janarit për të detyruar një shitje dhe më pas Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar. Por nuk është e qartë nëse ByteDance mund të përballonte barrën e rëndë për të treguar se kishte bërë përparim të rëndësishëm drejt një shitjeje të nevojshme për të shkaktuar zgjatjen -- ose nëse Qeveria kineze do të miratonte çdo shitje.
Trump, i cili u përpoq pa sukses të ndalonte TikTok gjatë mandatit të tij të parë më 2020, tha para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit se nuk do të lejonte ndalimin e TikTok.
Vendimi i së premtes mbështet ligjin, që i jep qeverisë amerikane kompetenca gjithëpërfshirëse për të ndaluar aplikacionet e tjera në pronësi të huaj, që mund të ngjallin shqetësime për mbledhjen e të dhënave të amerikanëve -- dhe mund të hapin derën për një goditje në të ardhmen ndaj shumë aplikacioneve të tjera në pronësi të huaj. Në vitin 2020, Trump gjithashtu u përpoq të ndalonte WeChat në pronësi të Tencent, por u bllokua nga gjykatat./ Reuters.
© SYRI.net