Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol kërkoi falje për ligjin ushtarak të shpallur të martën në mbrëmje dhe më pas u tërhoq, pasi Parlamenti votoi kundër.
"Kjo nuk do të ndodhë më kurrë," tha Yoon në një mesazh televiziv drejtuar kombit, duke siguruar se ai "nuk do të shmangë përgjegjësinë ligjore dhe politike mbi shpalljen e ligjit ushtarak".
Duke ripërtërirë faljen e tij "për konfuzionin e shkaktuar", Yoon shtoi se ai do t'ia lërë "partisë sonë (Partia Demokratike Popullore, red.) të stabilizojë situatën politike në të ardhmen, përfshirë mandatin tim".
"Shpallja e ligjit ushtarak lindi nga nxitjet e mia si president," tha Yoon në një fjalim televiziv, duke u kthyer në publik për herë të parë që nga kaosi që shpërtheu të martën në mbrëmje. "Megjithatë, duke bërë këtë, shkaktova ankth dhe shqetësim në publik. Unë sinqerisht u kërkoj falje qytetarëve të cilët ishin shumë të shqetësuar", shtoi ai, duke përjashtuar mundësinë e përsëritjes së incidentit.
Yoon, në fjalën e tij të shkurtër, siguroi se "nuk do t'i shmanget përgjegjësisë ligjore dhe politike për shpalljen e gjendjes ushtarake", por nuk ofroi dorëheqjen, duke thënë vetëm se do t'i besonte partisë, përfshirë masat për stabilizimin e situatës politike dhe mandatin e tij.
Presidenti po përballet me thirrje masive për të dhënë dorëheqjen, pasi shpalli gjendjen ushtarake të martën vonë në mbrëmje për një mosmarrëveshje buxhetore midis partisë së tij PP dhe opozitës kryesore PD. Arsyetimi i Yoon ishte për të mbrojtur një "Kore të Jugut liberale nga kërcënimet e paraqitura nga trupat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët anti-shtetëror".
Edhe pse kreu i shtetit hoqi ligjin ushtarak disa orë më vonë të mërkurën pas rezistencës masive dhe vetos nga parlamenti, ai ende e zhyti vendin në kaos politik. Ishte hera e parë që nga tranzicioni i Koresë së Jugut drejt demokracisë në fund të viteve 1980, që kreu i shtetit shpalli gjendjen ushtarake.
Opozita më pas paraqiti një mocion për procedurat e shkarkimit në parlament. Është planifikuar të vijë sot në votim. Partia më e madhe opozitare akuzon kreun konservator të shtetit për shkelje të kushtetutës dhe kërkon dorëheqjen e tij të menjëhershme.
Policia priste protesta masive kundër Yoon të shtunën. Parlamenti në kryeqytetin Seul duhej të votonte mbi një mocion për procedurat e shkarkimit të kreut të shtetit rreth orës 17:00 (ora lokale, ora 9:00 CET). Mocioni është paraqitur nga opozita. Edhe pse ka një shumicë komode në parlament, i duhen votat e partisë qeverisëse për shumicën e nevojshme prej dy të tretash.
© SYRI.net