Një shprehje e vjetër kineze thotë ‘jetojmë në kohëra interesante.’ Në fakt më shumë se kaq, jetojmë në kohëra sa të rrezikshme, aq dhe mbushur me mundësi, një botë sa sfiduese aq dhe me pritshmëri. Raketa ruse Oreshnik (me rreze të mesme veprimi) që arriti 13.000 kilometra në orë apo dhjetë herë mbi shpejtësinë e zërit siç u kujdes Putin të nënvizonte në daljen e mëpasshme për shtyp, bashkë me një milionë ukrainas në mes të acarit pas sulmeve ruse, paralajmërojnë një dimër të vështirë për kufijtë e Evropës.
Nga ana tjetër, pavarësisht armëpushimit të brishtë të dakordësuar mes Izraelit dhe Hezbollahut së fundmi që nënkupton dhe tërheqjen e trupave tokësore izraelite nga territori i Libanit, kjo nuk sjell as garanci për paqe në rajon (sidomos me situatën e katastrofës humanitare në Gaza), as qetësi për vetë Netanjahun që tashmë ka një urdhër-arresti ndërkombëtar nga gjykata penale ndërkombëtare që ja pamundëson vizitat në rreth 124 shtete të botës që kanë ratifikuar statutin e Romës që ka themeluar këtë gjykatë.
Nga ana tjetër, tregjet përjetuan një reagim të fortë me dollarin që fitoi terren pas paralajmërimit të presidentit të zgjedhur Trump për vendosje tarife 25 përqind për Meksikën dhe Kanadanë që ditën e parë të betimit dhe 35 përqind për Kinën. Natyrisht do pritur për të parë a është kjo një teknikë negociatore për të përmisuar raportet tregtare me këto vende, apo një sinjal sidomos për Kinën për kontrollin e rreptë të kufijve për moslejimin e drogës së rrezikshme sintetike fentanyl dhe njëjtë për Meksikën përsa i përket fluksit të emigrantëve që vijnë nga Amerika Latine përmes kufirit dhe narkotrafikut. Bashkimi Evropian ndërkohë pret plot ankth nëse politika e tarifave do t’i targetojë njëjtë dhe ata. Një artikull i Politico Europe theksonte që presidenti i ri i Këshillit Evropian do të jetë Antonio Kosta, ish-kryeministri portugez duke nënvizuar faktin që ngaqë ishte me rrënjë indiano-afrikane (origjinë të largët), do të shërbente si një urëlidhës me Azinë, Afrikën dhe Amerikën Jugore në një botë shumë-polare. Pra dhe Bashkimi Evropian që përgjithësisht paraqitet si një ‘fuqi e butë’ apo normative me fokusin te vlerat dhe pa një politikë të mirëfilltë të përbashkëët mbrojtje dhe sigurie duket se po përgatitet për erërat e acarta që kanë nisur të fryjnë dhe kërkon aleanca të reja në rrafsh global sipas parimeve të balancës së fuqisë.
Zërat që flasin për hedhje benzine zjarri janë po aq të fortë nga të dyja anët e Atlantikut. Paralajmërimeve shpesh të dala nga binarët e logjikës së ish-kryeministrit dhe ish-presidentit rus Medveved që Federata Ruse mund të përdorë armët bërthamore, kanë gjetur më tepër se retorikën e fjalëve veprime të cilat mund të cojnë pakthyeshmërisht situatën drejt precipitimeve të rrezikshme. Për shembull, djali më i madh i Donald Trump ka pohuar se ‘kompleksi industrial ushtarak duket se dëshiron të sigurohet që të fillojë Lufta e Tretë Botërore përpara se babai im të ketë një shans për të krijuar paqe dhe për të shpëtuar jetë’. Deklaratat e Donald Trump Jr. Pasuan vendimin e administratës Biden për të lejuar Ukrainën të lëshojë raketa të furnizuara nga Amerika thellë brenda Rusisë që sollën njëhësisht dhe kundërpërgjigjen e kësaj të fundit pa kaluar 24 orë. Ndërkohë rreth 100 mijë ushtarë koreano-veriorë kanë shkuar apo janë rrugës për t’iu bashkangjitur forcave ruse në Ukrainë përveç rreth 10 milionë predhave të artilerisë që Korea e Veriut ka dhënë deri tani.
Por kemi dhe zhvillime pozitive që japin shpresë për një zgjidhje paqësore të konfliktit. Për shembull, residenti i sapozgjedhur Donald Trump ka emëruar Keith Kellogg, një ish-këshilltar për sigurinë kombëtare dhe gjeneral-lejtnant në pension në ushtrinë amerikane, si të dërguar special për Ukrainën dhe Rusinë, pra një njohës të mirë të kapaciteteve ushtarake, zgjidhjeve politike dhe rajonit i cili mund të negocionë një zgjidhje të pranueshme. Në fund të fundit, cdo luftë përfundon vetëm në katër mënyra dhe duke qenë se dy prej tyre janë teorike dhe thuajse kurrë nuk rezultojnë të tilla në praktikë, pra fitorja e plotë e njërës palë mbi tjetrën apo armëpushimet që në cdo rast janë të përkohshëm dhe nuk adresojnë thelbin e konfliktit, ngelet vetëm një marrëveshje paqe e ndërmjetësuar si i vetmi mekanizëm realist dhe funksional. Dhe përvec SHBA-ve pakush ka mundësinë, aftësinë vullnetin për t’u imponuar. Aq më tepër tashmë me një administratë të re që duket që e ka këtë vullnet.
Ndërkohë që dronët iranianë që furnizojnë ushtrinë ruse kanë pasur përballë ato turk që furnizojnë ukrainasit. Këta të fundit kanë pasur një ndihmë tjetër të çmuar nga koha e fillimit të luftës që është starlinku i Elon Mask-ut që i’u ka mundësuar komunikimin aq vital për të përballur një ushtri shumë herë më të fortë nga ana logjistike dhe e armatimit. Por sulmet në rrjetet nënujorë të gazsjellësve fillimisht dhe tashmë të fibrave optikë të internetit dhe jo vetëm mes vendeve ndërluftuese por edhe ato balltike dhe skandinave dhe të tjera akte sabotimi e kanë shtrirë jo vetëm gjeografikisht luftën por e kanë bërë dhe më të paparashikueshme.
Por sa janë shanset për një luftë bërthamore? Nëse pyetet ish-shefi shtabit të ushtrisë ukrainase (tashmë ambasador në Londër) dhe arkitekti i rezistencën anti-ruse në Ukrainë- Zaluzhni ajo tashmë ka filluar. Për Kim Yong Un-in e Koresë së Veriut jemi më afër se kurrë më parë. Madje dhe presidenti në largim i Këshillit Evropian Michel deklaroi së fundmi në Asamblenë e OKB-së se lufta e tretë botërore është krejt e mundshme.
Ora e kijametit (e famshmja doomsday clock) këtë vit e ka vendosur më afër se kurrë, vetëm 90 sekonda nga mesnata, me fjalë të tjera lufta nukleare është më e mundshme se çka qenë qysh nga Kriza e Raketave të Kubës apo incidente të ngjashme në luftën e ftohtë. Të tjerë argumentojnë se lufta e tretë botërore tashmë ka filluar por një tipologji e luftërave të sotme është se ato nuk deklarohen kur fillojnë dhe nuk përfundojnë thuajse kurrë. Janë gjithashtu luftëra hibride që përfshijnë krahas armëve konvencionale edhe spiunazhin, sulmet kibernetike, aktet e sabotazhit dhe dezinformimin.
Të tjerë ndajnë mendimin që në fakt kjo e sotmja i ngjan më shumë një lufte të re të ftohtë me fuqitë e mëdha që përdorin luftërat proxy dhe shmangin përplasjet e drejtpërdrejta që mund të jenë fatale. Kësisoj, përplasja SHBA-Kinë është ajo kryesore duke marrë parasysh fuqitë ekonomike respektive, luftën tregtare, arsenalin ushtarak apo edhe aleancat globale.
Por pavarësisht nëse ka njëfarë probabiliteti për të filluar, është luftë e ftohtë si një deja vu e gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas apo realisht ka filluar në një formë të pahasur më parë, shtetet anembanë globit kanë rritur ndjeshëm arsenalet ushtarake, kanë rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak (Serbia dhe Kroacia së fundmi), u janë bashkangjitur aleancave ushtarake (Finlanda dhe Suedia në NATO duke hequr dorë nga neutraliteti historik), ose janë duke blerë gjithnjë e më tepër armë ofensive ose përpjekur të zhvillojnë kapacitete mbrojtëse.
Me një Serbi që në 2024 ka një buxhet ushtarak prej më shumë dy miliardë dollarë apo e barabartë me dyfishin e gjithë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor pa shtuar këtu fokusin në forcimin e kapaciteteve sulmuese apo me kërcënime që vijnë nga shtete të treta pikërisht mbi këtë rajon të brishtë që është dhe dera e pasme e Bashkimit Evropian, fokusi duhet të jetë pikërisht në sa më sipër përpara se të jetë shumë vonë.
Diletantizmi në diplomaci, mungesa e përgatitjes ushtarake, shteti i dobët si pasojë e korrupsionit endemik apo injorimi i zhvillimit të ngjarjeve dhe konjukturave të reja gjeopolitike mund të rezultojnë me kosto jo të vogël jo vetëm për ata që janë përkohësisht në krye por mbi të gjitha për fatet e vendit në të ardhmen e afërt.
© SYRI.net