Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po vepron me shpejtësi për të plotësuar postet në administratën e tij të sapolindur me zyrtarë republikanë, të cilët kanë qenë më besnikët politikisht ndaj tij gjatë katër viteve që ai nuk ishte në detyrë.
Presidenti i zgjedhur Trump, sipas njoftimeve të ndryshme të mediave amerikane, synon të emërojë Senatorin e Floridas, Marco Rubio si sekretar të shtetit.
Të martën në mbrëmje, ai njoftoi se guvernatorja e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, do të jetë drejtuesja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Ndër të përzgjedhurit e tjerë për anëtarë të kabinetit qeveritar është edhe Pete Hegseth, i cili do të drejtojë Departamentin e Mbrojtjes. Zoti Hegseth është ish-ushtarak dhe ka drejtuar emisione në kanalin televiziv Fox News.
Zoti Rubio dhe zonja Noem radhiteshin në listën e kandidatëve të mundshëm për nënpresident disa muaj më parë. Ndërsa zoti Trump më vonë përzgjodhi senatorin e Ohajos JD Vance, tashmë nënpresidenti i zgjedhur, si zoti Rubio ashtu edhe zonja Noem vazhduan ta mbështesin zotin Trump, që fitoi bindshëm zgjedhjet javën e kaluar përballë Nënpresidentes demokrate Kamala Harris.
Presidenti i zgjedhur Trump njoftoi gjithashtu se do të emërojë ish-drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Ratcliffe për të shërbyer si drejtor i CIA-s.
Zoti Ratcliffe ishte drejtuesi i gjashtë i zbulimit kombëtar, që shërbeu gjatë tetë muajve të fundit të administratës së ish-Presidentit Trump. Zoti Trump njoftoi gjithashtu të martën se ka përzgjedhur zotin William McGinley si këshilltar ligjor të Shtëpisë së Bardhë.
Ndër njoftimet e tjera të bëra nga presidenti i zgjedhur, është se dy sipërmarrësit Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy do të bashkëdrejtojnë Departamentin e ri të Efikasitetit të Qeverisë. Në njoftim thuhet se ata do të ofrojnë këshilla dhe udhëzime “për të drejtuar reformën strukturore në shkallë të gjerë” të qeverisë federale.
Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu vendosi të emërojë si këshilltar për sigurinë kombëtare ligjvënësin nga Florida, Michael Waltz. Zoti Waltz në fillim të këtij viti mbështeti një përpjekje të ligjvënësve republikanë për t’i vënë emrin e zotit Trump aeroportit ndërkombëtar të Uashingtonit.
Presidenti i zgjedhur Trump të hënën emëroi edhe Thomas Homanin, ish-drejtuesin për emigracionin, si “drejtuesin kombëtar për çështjet e kufirit”, për të drejtuar përpjekjet për të deportuar drejt vendeve të origjinës ndoshta miliona emigrantë pa dokumente që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Mediat njoftuan se Stephen Miller, një tjetër këshilltar i zëshëm kundër emigracionit, që shërbeu në mandatin e parë të ish-Presidentit Trump, do të emërohej si zëvendës shefi i kabinetit të presidentit të zgjedhur për politikat.
Presidenti i zgjedhur përzgjodhi një tjetër mbështetëse të vendosur, ligjvënësen nga Nju Jorku, Elise Stefanik, si ambasadoren e re amerikane në Kombet e Bashkuara. Ai emëroi ish-guvernatorin e Arkansasit, Mike Huckabee, si ambasador në Izrael.
Pak përpara zgjedhjeve, zoti Trump, i cili rrallë pranon publikisht gabime, i tha drejtuesit të një emisioni podcast Joe Rogan se gabimi i tij më i madh gjatë mandatit të tij nga 2017 deri në 2021 ishte punësimi i “njerëzve të këqij, ose njerëz jo besnikë”.
“Përzgjodha disa njerëz që nuk duhej t’i kisha zgjedhur”, tha ai.
Presidenti i zgjedhur Donald Trump shkon në Uashington të mërkurën për t’u takuar me Presidentin Joe Biden, që fitoi përballë zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020. Bisedat pritet të përqëndrohen tek transferimi i pushtetit kur Presidenti i zgjedhur Trump të inaugurohet më 20 janar. Zoti Trump po planifikon të takohet edhe me ligjvënësit republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve.
© SYRI.net