Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

11:46, 12/11/2024

Episodet e dhunës në Amsterdam, autoritetet në alarm

Image

Tensionet janë të larta në Paris, ndërsa qyteti po përgatitet për ndeshjen e Ligës së Kombeve mes Francës dhe Izraelit këtë të Enjte.

Përplasjet e javës së kaluar në Amsterdam mes mbështetësve të Maccabi Tel Aviv dhe demonstruesve pro-palestinezë janë ende të rrezikshme. Këto përplasje shkaktuan zemërim ndërkombëtar dhe rrezikonin të eskalonin polarizimin tashmë të pranishëm të dy grupeve.

Liderët evropianë e dënuan shpejt sulmin ndaj mbështetësve izraelitë, duke e etiketuar si antisemitizëm, por shumë në mediat sociale pretendojnë se mbështetësit e Maccabi-t provokuan dhe nxitën dhunën gjatë ditëve dhe orëve që çuan në ndeshjen e së enjtes.

Video-t që po qarkullojnë online tregojnë një mbështetës të Maccabi-t që shtyhet dhe hidhet në kanal.

Pavarësisht përpjekjeve të policisë për të de-eskaluar situatën, tensionet u rritën sërish të enjten pasdite, kur u zhvilluan përleshje të ndryshme mes mbështetësve të Maccabi-t dhe kundërshtarëve në sheshin Dam në qytet.

Scholz dhe Macron përballet me kriza të brendshme, rrezikohet aleanca

Image

Aleanca Franco-Gjermane, që ka qenë tradicionalisht një shtyllë e unitetit dhe vendimmarrjes evropiane, po kalon një periudhë pasigurie dhe vështirësish. Liderët e të dyja vendeve po përballen me pasiguri politike brenda, gjë që mund të dëmtojë aftësinë e tyre për të formuluar dhe mbrojtur politikat në nivelin e Bashkimit Evropian.

Në Gjermani, koalicioni “Traffic Light” — i përbërë nga Social Demokratët (SPD), Liberal Demokratët (FDP) dhe Gjelbërit —po shpërbëhet pas shkarkimit të ministrit të Financave, Christian Lindner, që është gjithashtu kryetar i FDP-së. Ky veprim ka thelluar më tej tensionet brenda koalicionit dhe rrezikon të dëmtojë udhëheqjen e vendit në çështje kyçe për BE-në.

Ndërkohë, në Francë, situata politike e Presidentit Emmanuel Macron është po ashtu e pasigurt. Pas suksesit të djathtës ekstreme në zgjedhjet evropiane, Macron ishte i detyruar të shpërbënte Asamblenë Kombëtare në qershor dhe të thërriste zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kjo tronditje politike ka dobësuar rolin e tij të brendshëm dhe mund ta bëjë më të vështirë për të manovruar përballë sfidave të BE-së, sidomos në një moment kur Franca po përballet me ndarje të brendshme.

Të dy liderët tani po përballen me sfidën për të mbrojtur agjendat e tyre kombëtare, ndërkohë që përpiqen të ruajnë forcën e aleancës Franco-Gjermane në një Evropë që po bëhet gjithnjë e më e polarizuar.

Holanda vendos kontrolle shtesë në pika kufitare kundër emigrantëve

Image

Qeveria holandeze njoftoi të hënën planet për të rivendosur kontrolle shtesë në kufijtë tokësorë për të luftuar migracionin e paligjshëm, pas një mase të ngjashme nga Gjermania në shtator.

Kjo është përpjekja më e fundit e qeverisë të ekstremit të djathtë të Holandës për të forcuar kontrollin mbi migracionin në një kohë kur zërat kundër të huajve po rriten në të gjithë Evropën.

Ministrja e Migracionit në Holandë, Marjolein Faber, shpalli politikën në një njoftim për shtyp pas miratimit nga Kabineti.

"Ka ardhur koha për të luftuar migracionin e paligjshëm dhe trafikun e migrantëve në një mënyrë konkrete. Kjo është arsyeja pse do të fillojmë të rivendosim kontrollet në kufijtë e Holandës nga fillimi i dhjetorit,” tha ajo në një deklaratë.

Administrata e re e SHBA, Trump zbulon një tjetër emër

Image

Dilemat se kush do të jenë emrat që do të jenë pjesë e adminsitratës së Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump, po gjejnë zgjidhje çdo orë që kalon.

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve Donald Trump ka zbuluar një tjetër emër që do të jetë pjesë e kabinetit së tij.

Bëhet fjalë për ish-kongresmemin e Nju Jorkut Lee Zeldin.

Ai është zgjedhur nga Trump si njeriu që do të udhëheqë Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA).

Në një deklaratë të shpërndarë në X, Zeldin tha se do të ishte një nder të bashkohej me ekipin e Trump.

“Ne do të rivendosim dominimin energjetik të SHBA-së, do të rigjallërojmë industrinë tonë të automjeteve për të rikthyer vendet e punës amerikane dhe do ta bëjmë SHBA-në lider global të AI. Ne do ta bëjmë këtë duke mbrojtur aksesin në ajër dhe ujë të pastër,” tha ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco