Në një lidhje me Skype nga Michigan për emisionin “A SHOW” me Adi Krastën, avokati dhe kryetari i shoqatës 'Kelmendi', Ervin Tinaj përshkroi atmosferën si shumë të qetë, ndërsa komentoi mbi deklaratën e fundit të presidentit Trump.
Tinaj theksoi se Trump shihet si një “kafshë politike” që vepron jashtë normave të sistemit politik tradicional, duke ofruar një perspektivë të re për amerikanët. Ai krahasoi situatën e SHBA-së me atë në Shqipëri, duke theksuar zhgënjimin e publikut nga partitë tradicionale dhe dëshirën për ndryshim.
Sipas Tinajt, ka dallime të mëdha në mënyrën e votimit në shtete të ndryshme në SHBA, ku disa kërkojnë identifikim rigoroz, ndërsa të tjerë jo.
'Atmosfera deri tani këtu është shumë e qetë.
Sa për deklaratën e Trump sot, duhet të kuptojmë që presidenti Trump është një “kafshë politike” – jo nga kjo botë, por jashtë sistemit.
Trump ka ardhur nga një sistem që është krijuar, sepse populli amerikan, në një farë mënyre, e sheh atë si një pasqyrë të asaj që po ndodh në Shqipëri. Këtu ka dy sisteme; njerëzit kanë qenë të pakënaqur si me të majtën, ashtu edhe me të djathtën, duke arritur në një masë të madhe – 90% – të pakënaqësisë popullore. Trump erdhi dhe ata thanë, “vetëm ky mund të bëjë ndryshimin.” Në një farë mënyre, edhe në Shqipëri, kemi dy parti që kanë dominuar për më shumë se 30 vite, dhe votuesit kërkojnë një frymë të re. Besoj se dikush si Trump do të vijë edhe në Shqipëri.
Ka tre kategori shtetesh: në njërën kategori është e detyrueshme të tregosh patentën për të votuar; në tjetrën nuk ka nevojë fare për identifikim, shkon dhe voton vetëm duke thënë emrin. Në mes janë shtete ku në disa raste ligji është i rreptë për identifikimin, ndërsa në të tjera jo. Në Michigan, ku jetoj unë, duhet të tregosh identifikimin; në disa qytete të tjera mjafton të firmosësh një vërtetim dhe voton njësoj.
Partia Demokratike nuk është më siç ishte dikur, sepse Trump nuk ka një ideologji si Reagan, Bush, etj., por bazohet në retorikën e tij. Nëse pyet votuesit, disa thonë se është i çmendur, të tjerë e perceptojnë përmes sloganeve të ndryshme.
Presidenti Trump nuk ka një ideologji të përcaktuar; ai e sheh gjithçka si biznes, është tranzicional. Nuk e largon NATO-n.'- u shpreh Tinaj.
© SYRI.net