Udhëheqësi suprem i Revolucionit Islamik, Ajatollah Sejjid Ali Khamenei ka paralajmëruar armiqtë se do të marrin një “përgjigje të mprehtë”, për atë që bëjnë kundër Republikës Islamike dhe Frontit të Rezistencës.
“Armiqtë, duke përfshirë SHBA-në dhe regjimin sionist, duhet ta dinë se ata patjetër do të marrin një përgjigje të mprehtë për atë që po bëjnë kundër Iranit dhe Frontit të Rezistencës”, tha Ajatollah Khamenei të shtunën, teksa iu drejtua grupeve të studentëve në Teheran.
Ai i priti në prag të Ditës Kombëtare të Studentëve, që shënon përvjetorin e marrjes nën kontroll të ish-ambasadës amerikane në Iran në vitin 1979. Ngjarja, e cila bie më 13 të muajit kalendarik iranian Aban, njihet gjithashtu si Dita Kombëtare për të luftuar arrogancën globale në Iran.
Ai tha se ish-ambasada e SHBA-së në Iran nuk ishte një mision i thjeshtë diplomatik, por ajo shërbeu si një vend për planifikimin e provokimeve të brendshme kundër Revolucionit Islamik dhe madje kërcënimin e jetës së themeluesit të ndjerë të Republikës Islamike Imam Khomeini.
Ajatollah Khamenei tha se përballja me arrogancën globale është një detyrë fetare, pasi ajo poshtëron kombet dhe kërkon dominim ekonomik, ushtarak dhe kulturor mbi to.
Ata e poshtëruan kombin iranian për vite me radhë, tha udhëheqësi, duke shtuar se kombi luftoi imperializmin dhe sigurisht do të vazhdojë luftën e tij.
Ai tha gjithashtu se Irani me siguri do të bëjë gjithçka që është e nevojshme në përgatitjen e tij për t'u përballur me imperializmin në aspektin ushtarak, armatim, apo veprimet politike.
Zyrtarët e vendit aktualisht janë të angazhuar në përpjekje për t'u përballur me arrogancën globale dhe sistemin kriminal që sundon rendin aktual botëror dhe ata patjetër nuk do të kursejnë asnjë përpjekje në këtë drejtim, vuri në dukje Ajatollah Khamenei, duke shtuar se nuk është çështje hakmarrjeje, por është një çështje e një lëvizje logjike që është në përputhje me fenë dhe të drejtën ndërkombëtare.
“Kjo është një çështje e përballjes me mizorinë ndërkombëtare. Për kombin iranian, i frymëzuar nga mësimet e Islamit, përballja me mizorinë është një detyrë fetare”, tha Udhëheqësi Suprem./ IRNA.
© SYRI.net