Kandidati republikan i SHBA-së, Donald Trump, ka sulmuar ekipin e zëvendëspresidentes Kamala Harris për krahasimin e një aktiviteti që ai mbajti në Madison Square Garden të Nju Jorkut javën e kaluar me një tubim të mbështetësve nazistë në të njëjtin vend para Luftës së Dytë Botërore.
Në aktivitetin e vitit 1939, folësit lavdëruan Gjermaninë naziste dhe u kërkuan amerikanëve të kundërshtonin atë që ata pretendonin se ishte ndikimi hebre në vend.
Kandidati për zëvendëspresident i Harrisit, guvernatori i Minesotës, Tim Walz, tha në një tubim në Henderson të Nevadës për një "paralele të drejtpërdrejtë me një tubim të madh që ndodhi në mesin e viteve 1930 në Madison Square Garden".
Trump u përgjigj duke i thënë një turme mbështetësish në Atlanta të Georgia-s: "Linja më e re nga Kamala dhe fushata e saj është se të gjithë ata që nuk votojnë për të janë nazistë. Ne jemi nazistë."
"Unë nuk jam nazist. Jam e kundërta e një nazisti," tha ai.
Trump shpjegoi se babai i tij e mësoi atë që të mos përdorte kurrë fjalët "nazist" apo "Hitler" si sharje. Të dyja fjalët, mes shumë fyerjeve të tjera, i janë atribuuar atij, tha ai.
"Ata më quajnë gjithçka, nga një gjeni i çmendur që kërkon të pushtojë botën te një person shumë budalla," sipas Trump.
Ndërsa deklaratat se Trump është një Hitler i ri që kërkon të shfuqizojë demokracinë nuk janë asgjë e re, një gjuhë e tillë u miratua vetëm së fundmi nga ekipi i Harrisit. Zëvendëspresidentja e quajti publikisht rivalin e saj një "fashist" javën e kaluar, duke përmendur mendimin e gjeneralit në pension John Kelly, i cili shërbeu si shef i shtabit në administratën Trump.
Ndërkohë, senatori i Ohajos, J.D. Vance, tha në të njëjtin tubim se "Unë imagjinoj se pothuajse çdo person në këtë dhomë ka një të afërm që ka shërbyer në Luftën e Dytë Botërore. Familjet tona në fakt shkuan dhe i mundën nazistët. Të na quash nazistë është një turp."
Vance pohoi se ushtarët amerikanë që morën pjesë në zbarkimet e Normandisë në qershor të vitit 1944 do të ishin ofenduar nga politikat e propozuara nga fushata e demokratëve.
"Nëse mendoni se ata burra të guximshëm po luftonin për një kufi të hapur dhe operacione të ndryshimit të seksit për shtetasit e paligjshëm, termi i duhur për ju është "tr*apa," deklaroi ai. / Wall Street Journal - Syri.net
© SYRI.net