Një sulm ajror izraelit ka vrarë të paktën 36 persona në Khan Junis. Goditja që ndodhi mëngjesin e së premtes, vjen teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në Liban dhe Gaza, pavarësisht presionit ndërkombëtar për armëpushim.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë. Sipas tyre, sulmi ndodhi në kohën kur njerëzit ishin duke pritur në radhë pranë furrës së vetme të bukës që vazhdon të jetë e hapur në këtë qytet.
Ushtria izraelite nuk ka komentuar për këtë sulm në mënyrë specifike. Por, në njoftimin e rregullt për luftimet, tha se “një numër i terroristëve janë eliminuar përmes sulmeve ajrore dhe tokësore” në jug të Gazës.
Ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u zotua se do të punojë me urgjencë” për zgjidhje diplomatike, me qëllim që t’i jepet fund ofensivës së Izraelit në Liban, por tha se fillimisht është thelbësore që të ketë mirëkuptim për çarmatosjen e Hezbollahut.
“Ne kemi një ndjenjë të urgjencës për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike dhe zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të ketë një siguri të vërtetë përgjatë kufirit mes Izraeli dhe Libanit”, tha ai.
Ai bëri thirrje për mbrojtjen e civilëve dhe ushtarëve libanezë, pasi të paktën 11 nga ta janë vrarë që kur Izraeli nisi ofensivën tokësore në Liban muajin e kaluar.
© SYRI.net