Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka pohuar se kandidati republikan Donald Trump dëshiron imunitet presidencial dhe kompetenca për të vrarë kundërshtarët e tij, dhe për këtë arsye duhet të burgoset, pasi ai foli para një turme me zgjedhjet vetëm gjysmë muaj larg.
Biden, i cili u tërhoq në fillim të këtij viti për të lejuar nënpresidenten Kamala Harris të bëhej kandidatja demokrate, e bëri deklaratën në një takim fushate në New Hampshire të martën.
"Ai mendon se ka një version të vendimit të Gjykatës së Lartë mbi imunitetin që i lejon atij, nëse është e nevojshme, të eliminojë fizikisht dikë që ai beson se është një kërcënim për të," tha ai, duke iu referuar Trump-it.
"E di që kjo tingëllon e çuditshme. Nëse do ta kisha thënë këtë pesë vjet më parë, ju do të më burgosnit, por ne duhet ta burgosim atë, "tha Biden, duke marrë duartrokitje nga audienca.
"Burgoseni politikisht," sqaroi ai, duke e tërhequr dukshëm deklaratën e tij. "Izolojeni. Këtë duhet të bëjmë."
Biden ka qenë nën lupën e mediave për gafa të shumta në ngjarje të ngjashme. Ai u tërhoq si kandidat i partisë së tij në fillim të këtij viti mes shqetësimeve për gjendjen e tij mendore pas një debati katastrofik televiziv kundër Trump-it.
Javën e kaluar, Biden sugjeroi që Trump po kandidon sërish për president "për të shmangur burgun", duke iu referuar telasheve ligjore të republikanit.
Në fillim të këtij viti, një juri në Manhattan e shpalli Trump-in fajtor për 34 akuza në lidhje me falsifikimin e dokumenteve të biznesit për të mbuluar paratë për blerjen e heshtjes së yllitporno Stormy Daniels. Trump gjithashtu përballet me akuza në lidhje me trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol. Ai mohon çdo akuzë dhe këmbëngul se të gjitha problemet e tij ligjore janë një gjueti shtrigash politike nga kundërshtarët e tij.
Pasi Biden mbështeti Harrisin si kandidaten e partisë së tij, demokratët fillimisht shijuan një periudhë muaji mjalti me votuesit, duke u rritur në votime. Megjithatë, shifrat e fundit nga grumbulluesi i të dhënave të sondazheve të RCP-së tregojnë se Trump po kryeson në të gjitha shtetet kyçe./Daily Mail - Syri.net
© SYRI.net