Rreth 650 njerëz, përfshirë 32 fëmijë, u vranë gjatë protestave dhe trazirave në Bangladesh në korrik dhe gusht, tha Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
"Ndërmjet 16 korrikut dhe 11 gushtit, më shumë se 600 njerëz u vranë. Nga këto, afro 400 vdekje u raportuan nga 16 korriku deri më 4 gusht, ndërsa rreth 250 njerëz raportohet se u vranë pas valës së re të protestave midis 5 dhe 6 gushtit", tha zyra në një raport.
“Të vrarët përfshijnë protestues, kalimtarë të rastit, gazetarë që mbulojnë ngjarjet dhe një numër anëtarësh të forcave të sigurisë”, thuhet në raport.
Raportet thonë se të paktën 4 gazetarë dhe të paktën 32 fëmijë janë vrarë.
"Mijëra protestues dhe kalimtarë janë lënduar, me spitalet të mbingarkuar nga fluksi i pacientëve. Numri i raportuar i vdekjeve ka të ngjarë të jetë i nënvlerësuar, pasi mbledhja e informacionit është penguar nga kufizimet në lëvizje për shkak të shtetrrethimit dhe mbylljes së internetit," tha OHCHR.
"Ka pretendime serioze dhe të besueshme se forcat e sigurisë iu përgjigjën në përgjithësi si protestave ashtu edhe dhunës pasuese me forcë të panevojshme dhe jo proporcionale. Policia dhe forcat paraushtarake duket se kanë përdorur shpesh forcën pa dallim, si kundër protestave paqësore ashtu edhe ndaj atyre me elementë dhune, duke përdorur plumba gome, granata zanore dhe armë zjarri me municion vdekjeprurës”, thuhet në raport. “Raportet tregojnë se forcat e sigurisë kanë përdorur edhe helikopterë për të qëlluar mbi protestuesit”.
Protestuesit janë parë duke përdorur zakonisht shkopinj, tulla ose lloje të ngjashme të armëve të improvizuara, sipas zyrës së të drejtave të njeriut.
Më 5 gusht, kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi. Ajo e bëri këtë pas protestave të studentëve që ishin të pakënaqur me papunësinë e lartë. Protestat e tyre u përhapën dhe u përshkallëzuan në përleshje me policinë, të cilat vazhduan gjatë gjithë korrikut dhe gushtit. Në këtë kohë, është ngritur një kabinet i përkohshëm, i cili drejtohet nga laureati i çmimit Nobel për Paqe, Muhamed Yunus. Ai u betua më 8 gusht./ Raporti OHCHR-UN.
© SYRI.net