Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris ka përdorur reklama në Google search që lidhen me artikuj të vërtetë lajmesh nga burime legjitime, por me titujt dhe përshkrimet e ndryshuara për të portretizuar kandidaten demokrate për presidente në një mënyrë më të favorshme, raporton Axios.

Shtabi elektoral i Harrisit ka publikuar reklama që lidhen me histori nga "gati një duzinë" mediash, duke përfshirë CNN, AP, CBS, NPR, The Guardian, USA Today dhe të tjera që të paktën që nga 3 gushti, raportoi Axios të martën.
Reklamat me sa duket imitojnë rezultatet e lajmeve reale "thuajse mjaftueshëm" për të çorientuar përdoruesit. Axios shkroi se teknika të tilla janë "praktikë e zakonshme", por pranoi se sipas qendrës së transparencës së reklamave të Google, rivali i Harrisit, Donald Trump nuk po përdor teknika të tilla në fushatën e tij në internet.
Disa nga mediat pretenduan se u befasuan nga kjo dhe që "s'e dinin" që markat e tyre po përdoreshin në këtë mënyrë, sipas Axios. Një zëdhënës i The Guardian tha se kompania do "t'i drejtohet Google për më shumë informacion rreth kësaj praktike".
Ndërkohë, Google ka këmbëngulur se praktika nuk shkel rregullat e tyre, duke pretenduar se duke qenë se reklamat janë etiketuar si "të sponsorizuara", ato janë "lehtësisht të dallueshme" nga rezultatet legjitime të kërkimit.
Megjithatë, gjiganti i teknologjisë pranoi se për shkak të një "defekti teknik" të supozuar në Bibliotekën e Reklamave të Google, disa prej reklamave "duken" se nuk kishin informacionet e nevojshme, shkroi Axios. Një zëdhënës i Google premtoi se do të hetonte defektin, duke këmbëngulur se kompania prej vitesh "ka ofruar nivele shtesë transparence për reklamat zgjedhore në mënyrë specifike"./Axios - Syri.net
© SYRI.net