Steven Cheung, një zëdhënës i ekipit të fushatës së zotit Trump, tha gjatë fundjavës se "çdo media që publikon dokumente, apo komunikime të brendshme, bën lojën e armiqve të Amerikës". FBI-ja lëshoi një deklaratë të shkurtër të hënën ku thuhej: "Ne mund të konfirmojmë se FBI po e heton këtë çështje".
New York Times tha se nuk do t’i diskutojë arsyet se pse kishte vendosur të mos botonte detaje të komunikimeve të brendshme. Një zëdhënës i gazetës Washington Post tha: "Ashtu si me çdo informacion që marrim, ne konsiderojmë vërtetësinë e materialeve, motivet e mundshme të burimit dhe vlerësojmë interesin publik kur marrim vendimin për të publikuar ose jo dhe çfarë publikojmë”.
Brad Dayspring, një zëdhënës i Politico-s, tha se redaktorët gjykuan se "pikëpyetjet rreth burimit të dokumenteve dhe se si ato na u ofruan, përbënin më shumë lajm, se sa materiali që përmbanin dokumentet".
Në fakt, pasi zoti Vance u shpall si kandidat i zotit Trump për nënpresident, organizatave të ndryshme mediatike nuk iu desh shumë kohë të zbulonin deklaratat tepër kritike që Senatori i Ohajos kishte bërë për ish-Presidentin Trump në të kaluarën.
Një mësim nga rasti i vitit 2016?
Në vitin 2016, kandidati i atëhershëm Trump dhe ekipi i tij inkurajuan botimin nga media të dokumenteve të ekipit të fushatës së zonjës Clinton që Wikileaks i kishte marrë nga hakerat. Dhe në fakt mediat e bënë një gjë të tillë në shkallë të gjerë. Një raport i BBC-së premtonte "18 fakte të reja nga emailet e zonjës Clinton nxjerrë nga Wikileaks", dhe një media tjetër Vox madje botoi edhe një email të zotit Podesta ku ai ofronte recetën e tij për “një risotto të shkëlqyer”.
Brian Fallon, që atëherë ishte zëdhënës i fushatës së zonjës Clinton, vuri në dukje në atë kohë se sa tronditëse ishte që shqetësimi mbi hakerat rusë, u harrua aq shpejt në favor të kuriozitetit për informacionin e zbuluar.
"Pikërisht siç dëshironte Rusia," tha ai.
Ndryshe nga informacioni për fushatën e zotit Trump, materiali i Wikileaks u bë publik, duke rritur presionin ndaj organizatave të mediave për të raportuar mbi të. Kjo solli si rezultat disa vendime të papeshuara mirë: Në disa raste, mediat i interpretuan disa nga materialet si më negative për zonjën Clinton nga ç’ishin në të vërtetë, thotë Kathleen Hall Jamieson, një profesore e Universitetit të Pensilvanisë, autore e librit "Cyberwar", që ka në qendër sulmin kibernetik të vitit 2016.
Prof. Jamieson thotë se këtë vit, organizatat e mediave morën vendimin e duhur për të mos publikuar detaje të materialeve të fushatës së zotit Trump, duke qenë se nuk janë të sigurta për burimin.
"Si mund të jesh i sigurt se nuk po manipulohesh nga fushata e zotit Trump?" thotë ajo.
Ajo anon nga kujdesi kur merren vendime për botim “sepse jemi në një epokë dezinformimi”.
Thomas Rid, drejtor i Institutit Alperovitch për Studimet e Sigurisë Kibernetike në Universitetin Johns Hopkins, gjithashtu beson se organizatat e lajmeve kanë marrë vendimin e duhur, por për arsye të ndryshme. Sipas mendimit të tij, një përpjekje e një agjenti të huaj për të ndikuar në fushatën presidenciale të vitit 2024 ka më shumë peshë se sa vetë materiali i zbuluar.
Por Jesse Eisinger, një gazetar i njohur dhe një nga redaktorët kryesorë të medias ProPublica, sugjeron se mediat mund të kishin botuar më shumë detaje. Megjithëse është e vërtetë që deklaratat e kaluara të zotit Vance për zotin Trump gjenden lehtësisht publikisht, dokumenti për verifikimin e tij mund të kishte nxjerrë në pah se cilat deklarata ishin më shqetësuese për ekipin e fushatës, ose fakte që gazetarët nuk i dinin.
Pasi të jetë konfirmuar saktësia e materialit, vlera e lajmit merr rëndësi më të madhe sesa burimi, thotë ai.
"Nuk mendoj se ky ishte vendim i duhur. Mendoj se u treguan më të përmbajtur se ç’duhet, duke u nisur nga rasti i vitit 2016", thotë zoti Eisinger./VOA
© SYRI.net