Britania sanksione të reja ndaj Bjellorusisë për shkelje të të drejtave të njeriut

Britania sanksione të reja ndaj Bjellorusisë për shkelje të të drejtave të njeriut

16:11, 09/08/2024

Britania njoftoi të premten një paketë të re sanksionesh kundër Bjellorusisë, duke thënë se katër individë dhe tre entitete ishin vënë në shënjestër për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe lehtësimin e vazhdueshëm të pushtimit rus të Ukrainës.

Qeveria britanike tha se veprimi i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë shënoi përvjetorin e katërt të zgjedhjeve presidenciale, "me të meta të thella" të vitit 2020 në Bjellorusi.

Shumica e vëzhguesve të pavarur besojnë se presidenti Aleksandër Lukashenko i humbi ato zgjedhje. Ai vazhdoi të qëndrojë në pushtet duke burgosur mijëra, për të shtypur muaj të tërë protestash në rrugë me ndihmën e aleatit të tij, presidentit rus Vladimir Putin.

Oficerët komandues të katër kolonive penale të Bjellorusisë, në të cilat janë ndaluar të burgosurit politikë, ishin midis atyre që u sanksionuan të premten.

“Katër vjet pas skenave brutale që dëshmuam në Bjellorusi, goditja e pamëshirshme e Lukashenkos ndaj shoqërisë civile nuk ka treguar asnjë shenjë zbutjeje”, tha Sekretari i Jashtëm David Lammy.

"Ne qëndrojmë me popullin e Bjellorusisë dhe ndjekjen e tij për liri dhe demokraci, dhe i bëjmë thirrje regjimit të lirojë të gjithë të burgosurit politikë menjëherë dhe pa kushte."

Tre entitetet e sanksionuara përfshinin dy prodhues mjetesh makinerish që kanë eksportuar mallra në Rusi për përdorim në sektorin industrial ushtarak rus dhe një biznes të lidhur me qeverinë bjelloruse, që ka bërë biznes në sektorin e mbrojtjes.

Britania njoftoi gjithashtu 2.5 milionë paund (3 milionë dollarë) fonde për të mbështetur kauzat e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile në Bjellorusi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco