Irani nuk do të qëndrojë i qetë përballë agresionit izraelit, ka paralajmëruar presidenti iranian, Masoud Pezeshkian homologun e tij francez, Emmanuel Macron raportuan mediat të mërkurën, mes frikës së përhapjes së një konflikti rajonal pas vrasjes në Teheran, javën e kaluar të liderit të Hamasit.
“Irani nuk do të heshtë kurrë përballë agresionit kundër interesave dhe sigurisë së tij”, i tha Pezeshkian Macronit në një telefonatë, duke kritikuar Izraelin për luftën 10-mujore të Gazës.
“Nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore me të vërtetë po kërkojnë të parandalojnë luftën në rajon, ata duhet ta detyrojnë këtë regjim (Izraelin), të ndalojë gjenocidin dhe sulmet në Gaza dhe të pranojë një armëpushim”, tha presidenti Iranian sipas mediave.
Një takim urgjent i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik u mbajt të mërkurën në Arabinë Saudite me kërkesë të Iranit, për të diskutuar vrasjen e Ismail Haniyeh, ish-udhëheqësit të grupit militant palestinez Hamas.
Teherani dhe grupet e lidhura me Iranin, si Hamasi dhe Hezbollahu kanë akuzuar Izraelin për vrasjen e Haniyeh më 31 korrik. Vdekja e tij ishte një prej disa vrasjesh të figurave të larta të Hamasit gjatë luftës.
© SYRI.net