Ambasada e Arabisë Saudite në Liban u bëri thirrje të dielën shtetasve të saj, që të largohen “menjëherë” nga Libani, mes frikës së përshkallëzimit dhe një përgjigjeje të parashikuar iraniane ndaj vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Kërkesa e ambasadës pasoi një thirrje të ngjashme që ajo iu drejtua qytetarëve të saj në Bejrut, në qershor.
Ambasada tha se “po ndjek nga afër zhvillimet e ngjarjeve në Libanin jugor dhe rinovon thirrjen e saj ndaj qytetarëve sauditë që të largohen menjëherë nga territori libanez, në përputhje me vendimin për ndalimin e udhëtimit në Liban”, thuhet në deklaratën e së dielës në X.
Tensionet janë rritur në rajon pas vrasjes së liderit të grupit palestinez të Hamasit, Ismail Haniyeh në Teheran të mërkurën, një ditë pasi një sulm izraelit në Bejrut vrau Fuad Shukr, një komandant i lartë ushtarak nga grupi i armatosur libanez Hezbollah.
Irani nga ana tejtër ka planifikuar një hakmarrje të ashpër së shpejti, që gjasat janë të nisë këtë fillim jave.
Izraeli dhe Hezbollahu, një aleat i Hamasit në Liban, i mbështetur nga Irani, kanë shkëmbyer zjarre pothuajse çdo ditë ndërkufitare që kur sulmi i grupit militant palestinez në 7 tetor ndaj Izraelit ndezi luftën në Rripin e Gazës.
© SYRI.net