Amerikanët e liruar në shkëmbimin e burgosurve ribashkohen me familjet

Amerikanët e liruar në shkëmbimin e burgosurve ribashkohen me familjet

16:03, 02/08/2024

Tre amerikanë që u liruan në një shkëmbim të burgosurish me Rusinë, duke përfshirë reporterin e Wall Street Journal Evan Gershkovich, janë kthyer në tokën amerikane.

Gershkovich, 32 vjeç, ishte një nga 16 personat e shkëmbyer me tetë të burgosur rusë në atë që është përshkruar si shkëmbimi më i madh që nga fundi i Luftës së Ftohtë midis Rusisë dhe Perëndimit. Shkëmbimi në një aerodrom në Turqi përfshiu gjithashtu lirimin e ish-marinsit amerikan Paul Whelan dhe gazetares ruso-amerikane Alsu Kurmasheva.

Pasi u ulën në bazën e Andrews-it, në Maryland, Gershkovich, Kurmasheva dhe Whelan dolën nga avioni për t'u brohoritur nga ata që ishin në pistë. Të tre u përshëndetën nga presidenti amerikan Joe Biden dhe zv/presidentja Kamala Harris para se të përqafonin familjet e tyre. Ata qëndruan në pistë për fotografi dhe biseda para se të largoheshin nga baza ajrore brenda një ore, si edhe autokolonat e zotit Biden dhe zonjës Harris.

Duke folur para kthimit të tyre, Biden përshëndeti lirimin e tyre dhe deklaroi: "Sprova e tyre brutale ka marrë fund". Ai vlerësoi rolin e luajtur nga aleatët e Amerikës, sidomos Gjermania dhe Sllovenia, dhe përshëndeti lirimin e z. Whelan, z. Gershkovich dhe zonjës Kurmasheva, si dhe kritikun kryesor të Kremlinit, Vladimir Kara-Murza, si një "veprim të diplomacisë". Tre amerikanët e liruar u dërguan më pas në Qendrën Mjekësore të Ushtrisë Brooke të Teksasit për një kontroll mjekësor.

Marrëveshja kishte më shumë se 18 muaj që po negociohej dhe duket se varej nga kërkesa e Moskës për kthimin e Vadim Krasikovit, i cili po vuante një dënim të përjetshëm në Gjermani për kryerjen e një atentati në një park të Berlinit. Tani ai është kthyer në Rusi. Krasikov gjithmonë ka thënë në robëri se identiteti i rremë nën të cilin hyri ishte i vërtetë, por Kremlini e ka pranuar që nga lirimi i tij se ai ishte agjent i shërbimit të sigurisë FSB.

Në total, 24 persona të burgosur në shtatë vende të ndryshme u shkëmbyen në Ankara, tha presidenca e Turqisë. Të burgosurit u mbajtën në SHBA, Gjermani, Poloni, Slloveni, Norvegji, Rusi dhe Bjellorusi, thuhet në një deklaratë. Dhjetë persona, përfshirë dy të mitur, u zhvendosën në Rusi, 13 të burgosur në Gjermani dhe tre në SHBA, thotë deklarata. Tetë të burgosurit që u kthyen në Rusi po vuanin dënime për një sërë akuzash penale në Perëndim.

Akuzat kundër 16 të mbajturve në Rusi dhe Bjellorusi përfshinin spiunazh dhe tradhti, por përgjithësisht konsideroheshin nga qeveritë perëndimore dhe organizatat e të drejtave të motivuara politikisht. Nga 13 që qëndrojnë në Gjermani, shumica ose kanë nënshtetësi gjermane ose janë ish të burgosur politikë rusë. Fati i këtij grupi të fundit duket i paqartë, pasi në fakt ata janë dëbuar nga Rusia. Të paktën njëri prej tyre, Ilya Yashin, ka thënë në të kaluarën se nuk donte të përfshihej në një shkëmbim.

Një tjetër, Andrei Pivovarov, do të lirohej brenda Rusisë në shtator pas përfundimit të dënimit, tha nëna e tij për faqen e internetit Insider në një intervistë. Oleg Orlov, 71 vjeç, është një aktivist rus veteran për të drejtat e njeriut dhe një themelues i organizatës Memorial që është e ndaluar së fundmi. Të 13-të duket se përfshijnë gjithashtu z. Kara-Murza, i cili ka shtetësi të dyfishtë britaniko-ruse dhe është rezident në SHBA. Mendohet se ai mund të kthehet veçmas në SHBA.

Image

Në Rusi, presidenti Vladimir Putin personalisht përshëndeti rusët e liruar nga burgjet perëndimore me buqeta me lule në aeroportin Vnukovo të Moskës. Ai i përqafoi ngrohtësisht në tapetin e kuq dhe tha se do t'u jepeshin çmime shtetërore. Në mesin e atyre që u kthyen në Moskë, përveç Krasikovit, ishte edhe një çift rus, i dënuar për spiunazh në Slloveni, të cilët u kthyen në Rusi me dy fëmijët e tyre.

Është liruar gjithashtu shtetasi gjerman Rico Krieger, i cili u dënua me vdekje në Bjellorusi para se të falej nga lideri i vendit Alexander Lukashenko në fillim të kësaj jave. Diskutimet e mëparshme për shkëmbimin e të burgosurve kishin përfshirë liderin e opozitës ruse të burgosur Alexei Navalny, por ujdia i prish kur ai vdiq në rrethana të paqarta në një koloni penale të Arktikut në shkurt. E veja e tij Yulia Navalnaya e mirëpriti shkëmbimin, duke e përshkruar atë si një "gëzim". Tre nga disidentët e liruar ishin ish-udhëheqës rajonalë të rrjetit të Navalny-t kundër korrupsionit, i quajtur tashmë ekstremist në Rusi. Zoti Yashin ishte gjithashtu një bashkëpunëtor i ngushtë.

Shkëmbimi vjen pas ditësh spekulimesh për një shkëmbim të madh midis vendeve të ndryshme, që u rritën pasi disa disidentë dhe gazetarë të burgosur në Rusi u zhvendosën nga qelitë e tyre të burgut në vende të panjohura. Megjithëse transferimet sekrete të burgjeve janë të zakonshme në Rusi, zhdukjet e shumta të të burgosurve të njohur ishin të pazakonta. Shkëmbimi i fundit i të burgosurve të profilit të lartë u bë në dhjetor 2022, kur ylli i basketbollit amerikan Brittney Griner u shkëmbye në pistën e aeroportit të Abu Dhabit me tregtarin famëkeq rus të armëve Viktor Bout, i cili ishte mbajtur në një burg amerikan për 12 vjet. Shkëmbimi i fundit ndodhi në Vjenë në vitin 2010, kur 10 spiunë rusë të mbajtur në SHBA u shkëmbyen me katër agjentë të dyshuar të dyfishtë të mbajtur në Rusi. Njëri prej tyre ishte Sergei Skripal, një ish-oficer i inteligjencës ushtarake, i helmuar më vonë nga agjenti nervor novichok në Salisbury në vitin 2018.

Image

Tensionet midis Moskës dhe Perëndimit kanë qenë të larta vitet e fundit, sidomos që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022. Dhe eksperti i Chatham House, James Nixey i tha BBC-së se ndonëse kjo ishte një ditë e rrallë e mirë për marrëdhëniet dhe një fitore për diplomacinë, nuk duhet parë sikur Rusia po tregon "anën e saj më të butë". Thjesht tregoi se Rusia ishte e vendosur të kthente njerëzit e saj, pavarësisht nga krimet që ata kishin kryer, tha ai. "Nga këndvështrimi i Kremlinit, ai thjesht konfirmon se pengmarrja dhe zhvatja është një mjet i suksesshëm në betejën e saj më të gjerë gjeopolitike," shtoi ai./BBC - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco