E shtëna që vrau njeriun që tentoi të vriste ish-presidentin Trump në një tubim në Butler, Pensilvani, të shtunën e kaluar ishte një e shtënë "thuajse e pamundur", sipas një burimi që është në dijeni të atentatit.
Fox News mësoi nga burimi se vrasja ishte me një qitje të vetme të bërë nga një kundërsnajper i Shërbimit Sekret, i cili kishte pamje të paqartë.
Një ekip lokal taktik qëlloi gjithashtu agresorin, 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks, por doli huq.
Snajperi i Shërbimit Sekret që vrau Crooks-in mund të shihte vetëm dylbinë e armës së Crooks-it, majën e syrit dhe ballit të tij, sepse buza e çatisë e bllokonte pamjen e snajperit.
Burimi e përshkroi qitjen për Fox News si një një e shtënë "thuajse e pamundur".
Lajmi vjen pasi më shumë informacione fillojnë të dalin në lidhje me gabimin e forcave të sigurisë që e lejoi Crooks-in të ngjitej në një ndërtesë, të kishte një pamje të qartë të Trump-it dhe të hapte zjarr ndaj ish-presidentit.
Ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret që ndaluan sulmuesin dhe u hodhën për të mbrojtur Trump-in po vlerësohen, drejtoresha e agjencisë, Kimberly Cheatle, është kritikuar ashpër për trajtimin e saj të çështjes.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Përgjegjshmërinë ka caktuar një seancë dëgjimore për të hënën me Cheatle, e cila po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen nga ligjvënësit lidhur me trajtimin e agjencisë së saj të atentatit në mitingun e Trump-it.
Seanca dëgjimore, "Mbikëqyrja e Shërbimit Sekret të SHBA-së dhe tentativa për vrasjen e presidentit Donald J. Trump", është planifikuar të fillojë në Kapitol Hill në orën 10:00 të së hënës.
Cheatle po refuzon të japë dorëheqjen, por kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson i tha FOX Business të enjten se ai është i përgatitur t'i bëjë thirrje presidentit Biden që ta shkarkojë.
"Vazhdimësia e operacioneve është parësore gjatë një incidenti kritik dhe drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle nuk ka ndër mend të japë dorëheqjen. Ajo respekton thellësisht anëtarët e Kongresit dhe është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj transparencës në drejtimin e Shërbimit Sekret përmes hetimit të brendshëm dhe forcimit të agjencisë përmes mësimeve të nxjerra në këto rishikime të rëndësishme të brendshme dhe të jashtme", tha zëdhënësi i Shërbimit Sekret Anthony Guglielmi në një deklaratë të mërkurën vonë.
Cheatle u përball me senatorët që kërkonin përgjigje kur ajo u shfaq në Konventën Kombëtare Republikane në Milwaukee këtë javë./Foxnews - Syri.net
© SYRI.net