Ministria e Kulturës e Greqisë urdhëroi mbylljen e Akropolit, tërheqja më e madhe kulturore e vendit për disa orë, ndërsa autoritetet paralajmëruan për kushte ekstreme në pjesën më të madhe të vendit. Ndërkohë Evropa Jugore u zhyt në një valë të nxehti, duke bërë që temperaturat të rriteshin në mënyrë drastike.
Meteorologët thanë se ajri i nxehtë nga Afrika parashikohej të ndikonte Greqinë për disa ditë deri të dielën, me valën e të nxehtit që arrin kulmin të mërkurën dhe të enjten, kur temperaturat pritej të arrinin 43 gradë C (109 F).
Autoritetet mbyllën Akropolin e famshëm të Athinës nga mesdita deri në orën 17:00, ndërkohë që bashkitë po krijonin hapësira të brendshme me ajër të kondicionuar në dispozicion të publikut. Njerëzit u paralajmëruan të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të pinin sa më shpesh ujë.
Turistët që shpresonin të vizitonin tempullin e Partenonit në majë të Akropolit, u vendosën në radhë herët në mëngjes për të mposhtur të nxehtin më të keq, ndërsa Kryqi i Kuq u dha ujë të ftohtë në shishe dhe fletushka informacioni atyre që prisnin në radhë.
© SYRI.net