10-të JO-të për Komisionin Parlamentar të Dezinformimit

10-të JO-të për Komisionin Parlamentar të Dezinformimit

11:31, 04/04/2024

Këshilli Shqiptar i Medias e sheh me shqetësim të thellë idenë për ngritjen e një Komisioni Parlamentar për Dizinformimin.

Së pari, Komisioni nuk e ka aspak të qartë e të fokusuar objektin e hetimit të vet, çka lë hapësirë për abuzime në dëm të lirë së medias.

Së dyti, është e pakuptueshme sesi Parlamenti shqiptar që nuk ka bërë asnjë hap e nuk ka treguar asnjë vullnet për të përmirësuar situatën e informimit mediatik, del i shqetësuar për të kundërtën, atë të dizinformimit.

Së treti, Një Komision që pa u ngritur akoma ka përcaktuar kohëzgjatjen e punës së tij (1 vjeçare), në lidhje me një subjekt që nuk e njeh akoma, lë shumë dyshime që objektivi i punës së tij do të jetë kontrolli i mediave gjatë kësaj periudhe dhe jo i dizinformimit.

Së katërti, një Komision i cili ngrihet JO për të hetuar diçka që “ka ndodhur”, por për të hetuar diçka që “do të ndodhë” përgjatë një viti që nga krijimi, krijon dyshime të forta që mund të përdoret për të cënuar lirinë e medias, nën petkun e hetimeve për dezinformimin.

Së pesti, Shqipëria ka probleme shumë më të mëdha që cënojnë lirinë e medias, e që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, si psh lidhjet okulte të politikanëve, partive e qeveritarëve me pronarët e medias; mungesa e transparencës së fondeve shtetërore që shkojnë drejt mediave; mos-aplikimi i ligjit për të drejtën për informimi, etj. Dezinformimi, për nga rëndësia që ka në publikun shqiptar mund të zgjidhet pasi të zgjodhen jëto probleme madhore.

Së gjashti, çfarëdo aksioni në fushën e medias kërkon një qasje jo-partiake.

Së shtati, çfarëdo aksioni në fushën e medias kërkon një qasje jo-politike e jashtë politikës.

Së teti, çfarëdo aksioni në fushën e medias kërkon një paanshmëri që qartësisht, ekipi i këtij komisioni që ka votuar paketën famëkeqe antishpifje, e që ishte gati ta votonte për së dyti, NUK e gëzon.

Së nënti, dezinformimi në Shqipëri shfaqet kryesisht në formën e propagandës, e cila vjen në masën dërrmuese nga Qeveria, Bashkia e Tiranës si dhe nga partitë politike, çka e bën të pamundur që ky Komision të hetojë ndershmërisht vetveten, partinë e vet, apo qeverinë e vet.

Së dhjeti, kushdo që do zhvillonte një hetim kaq delikat që mund të cënojë linirë e informimit duhet të gëzojë reputacion e integritet personal, çka klasa politike shqiptare e ka humbur me kohë.

Këshilli Shqiptar i Medias i kërkon Parlamentit shqiptar të mos e miratojë ngritjen e këtij komisioni, të paktën jo në këtë formë, dhe do të informojë partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë akt që krijon rrezik për zëvendësimin e paketës anti-shpifje me një komision parlamentar anti-shpifje.

Kujtojmë se ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar kundër Dezinformimit u miratua ditën e djeshme nga Këshilli i Mandateve vetëm me votat e socialistëve. Sipas këtyre të fundit, ky komisioni ka si fokus koordinimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha përpjekjeve institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike në Shqipëri.

Në kërkesën e PS-së thuhej se ky komisioni do të duhet të nxisë apo të hetojë rastet e ndërhyrjeve (të mundshme) të huaja të karakterit dizinformues, financimet (e mundshme) të huaja dhe ndikimin keqdashës ekonomik (të mundshëm) si dhe do të hartojë propozime të ndryshime ligjore për të trajtuar problemin.

Ky komisioni është konsideruar si i panevojshëm nga ana e opozitës dhe si një ndërhyrje nga Qeveria për në lirinë e medias.

Qeverisja socialiste ka ndërmarrë një pafundësi nismash negative për lirinë e shprehjes. Deri më tani nuk ka ndonjë gjurmë që të sugjerojë ndonjë fushatë dizinformimi ruse, kineze apo tjetër, në Shqipëri. Vendi ynë ka popullsi kryesisht homogjene, pa ndonjë ndasi të tmerrshme sociale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco