Sulm vdekjeprurës me armë në Hamburg, në sallën e Dëshmitarëve të Jehovait

Sulm vdekjeprurës me armë në Hamburg, në sallën e Dëshmitarëve të Jehovait

08:11, 10/03/2023

Në një sulm me armë brenda një ndërtese, të përdorur nga grupi fetar Dëshmitarët e Jehovait, në qytetin verior gjerman të Hamburgut të enjten në mbrëmje u vranë disa njerëz, tha policia, sipas Associated Press

Sulmi ndodhi në lagjen Gross Borstel, disa kilometra në veri të qendrës së qytetit të dytë më të madh të Gjermanisë.

"Ne e dimë se disa njerëz kanë vdekur këtu. Disa të tjerë janë plagosur dhe janë dërguar në spital", tha zëdhënësi i policisë, Holger Vehren.

Agjencia gjermane e lajmeve DPA njoftoi se kishte parë ekipet e shpëtimit duke nxjerrë njerëz nga një ndërtesë e përdorur nga Dëshmitarët e Jehovait.

Policia tha se u njoftua për sulmin rreth orës 21:15 dhe shkoi me shpejtësi në vendngjarje. Policia tha se pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, u dëgjuan të shtëna me armë nga një kat i sipërm i ndërtesës.

Zëdhënësi i policisë, Holger Vehren tha se nuk kishte të dhëna të menjëhershme se një sulmues ishte në arrati dhe se duket se autori ose autorët ishin ose në ndërtesë ose në mesin e të vrarëve. Autoritetet thanë se ende nuk kanë informacion për një motiv të mundshëm.

Kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Peter Tschentscher përmes një postimi në Twitter tha se lajmi për të shtënat ishte tronditës dhe shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave.

Dëshmitarët e Jehovait janë pjesë e një kishe ndërkombëtare, e themeluar në Shtetet e Bashkuara në shekullin e 19-të, me seli në Vrarvik të Nju Jorkut. Ajo pretendon se ka rreth 8.7 milionë anëtarë në kishat e saj në mbarë botën, përfshirë rreth 170 mijë anëtarë në Gjermani.

Anëtarët janë të njohur për përpjekjet e tyre ungjillore që përfshijnë trokitje në dyer të shtëpive dhe shpërndarje të literaturës së tyre fetare në sheshet publike. Praktikat e veçanta të këtij grupi fetar përfshijnë qëndrimet kundër armëmbajtjes, transfuzionit të gjakut, betimit para një flamuri kombëtar dhe pjesëmarrjes në një qeveri laike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco