Regjimi po e përdor tërmetin: Ndihma shkon vetëm te besnikët e qeverisë

Regjimi po e përdor tërmetin: Ndihma shkon vetëm te besnikët e qeverisë

10:51, 08/02/2023

Nga Mohammad Rabie dhe Julian Roepcke, BILD

Kanë kaluar më pak se 24 orë dhe regjimi i Assad-it ka nisur të shfrytëzojë katastrofën e tërmetit!

Sipas informacioneve zyrtare, më shumë se 8100 persona kanë vdekur nga tërmeti në Siri dhe Turqi deri më tani- ekziston frika se numri i viktimave do të rritet më shumë. Më shumë se 39200 persona janë plagosur.

Siria, vendi në të cilin lufta vazhdon e ndezur prej 11 vitesh dhe pjesa verilindore bombardohet vazhdimisht nga regjimi i Assad-it, u godit veçanërisht rëndë nga tërmeti.

Por Bashar al-Assad po e përdor tragjedinë për fushatë: regjimi i tij befas dëshiron të shihet si një partner në skenën ndërkombëtare- sikur të mos e kishte shqyer vendin e tij në humnerë gjatë viteve të fundit, sikur nuk ka bërë krime mizore ndaj popullatës.

Një kujtesë për përmasat e tmerrshme të luftës në Siri: më shumë se gjysmë milionë njerëz janë vrarë deri më tani. Rreth gjysma e popullsisë së paraluftës është shpërngulur nga sulmet e regjimit. Të paktën 2.9 milionë njerëz në Siri janë në rrezik nga uria, sipas OKB. 12 milionë të tjerë nuk dinë se nga do e marrin vaktin e radhës.

Në ditën e tërmetit, të hënën, ministri i Jashtëm, Faisal Mekdad, propagandoi në televizionin shtetëror: Damasku është i gatshëm që të lehtësojë të gjithë procedurat që janë të nevojshme për organizatat ndërkombëtare që të ofrojnë ndihmë humanitare.

Të martën, edhe organizata siriane e ndihmës, ‘Gjysmëhëna e Kuqe’, i bëri thirrje Perëndimit që të heqë sanksonet. “Ka ardhur koha pas këtij tërmeti,” tha drejtuesi i organizatës, Chales Habubati.

Ai injoroi arsyen e sanksioneve perëndimore: fushatën brutale të Assad-it për asgjësimin e popullatës civile që nga viti 2011.

Ndihma do shpërndahet vetëm për ata që janë besnikë të regjimit

Michael Horowitz, analist në institutin e Lindjes së Mesme ‘Le Beck International’, thotë për BILD: “Regjimi sirian e ka përdorur ndihmën humanitare si armë në të kaluarën, duke e detyruar ndihmën që të kalojë përmes ‘kanaleve zyrtare’. Ndihma humanitare iu është mohuar zonave që nuk janë nën kontrollin e saj. Ndihma do të shpërndahet vetëm për ata që janë besnikë të regjimit”.

Eksperti thotë se diktatori sirian do luajë një lojë të ngjashme, por tani në një shkallë edhe më të madhe për shkak se shumë nga zonat e prekura në Siri janë jashtë kontrollit. “Për Damaskun, ky tërmet nuk është një katastrofë, por edhe një mjet i papritur presioni,” thotë Horowitz.

Përveç kësaj, vite të tëra me bombardime kanë bërë që ndërtesat thjesht të rrëzohen.

“Shumica e ndërtesave, ishin të dëmtuara nga bombardimet e regjimit të Assad-it. Si rezultat, shumë prej tyre u shembën në Aleppo apo qytete të tjera,” thotë për BILD, Kahled A., 28 vjeç, e cila jeton në rajonin e goditur keq nga tërmeti.

Ndihmësit: Fushata e Assad-it na sjell neveri

Rang Al Saleh, kreu i organizatës siriane ‘Helmetat e Bardha’, e cila prej vitesh ka shpëtuar njerëz nga rrënojat e bombardimeve nga trupat e Assad-it, flet gjithashtu për instrumentalizim.

“Për fat të keq, regjimi i Assad-it po përdor fatkeqësinë e tërmetit për të arritur qëllimet politike. Dhe me sukses. Ai po ndihmohet nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat e bamirësisë, të cilat e përshkruajnë veten si neutrale,”tha Al Saleh për BILD.

Koha për të shpëtuar njerëzit është gjithmonë e më e pakët. Por: “Ndërkohë regjimi i Assad-it po përqendrohet në qëllimet e tij politike. Ky regjim nuk i shpëton dot njerëzit. Na turpëron fakti që regjimi i Assad-it po bën një fushatë të tilë në këtë kohë, duke braktisur njerëzit që kanë nevojë për ndihmë. Na vjen shumë keq për civilët që jetojnë nën regjimin e Assad-it”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco