Policia e Pakistanit e akuzon ish-kryeministrin për akt terrorist

Policia e Pakistanit e akuzon ish-kryeministrin për akt terrorist

09:18, 22/08/2022

Policia e Pakistanit ka akuzuar ish-kryeministrin e vendit, Imran Khan, sipas ligjeve kundër terrorizmit.

Hetimi i tyre vjen pasi ai akuzoi policinë dhe drejtësinë për ndalimin dhe torturimin e ndihmësit të tij të ngushtë.

Që kur u rrëzua nga pushteti në prill, Khan ka qenë një kritik i zëshëm i qeverisë dhe ushtrisë së vendit.

Në një fjalim publik të shtunën, Khan dënoi shefin e policisë së Islamabadit dhe një gjyqtare femër për ndalimin dhe keqtrajtimin e dyshuar të kolegut të tij partiak, Shahbaz Gill.

“Duhet të përgatiteni gjithashtu pasi ne do të marrim masa kundër jush”, tha ai.

Zyrtarët akuzuan Khan për shkelje të aktit anti-terrorist të vendit për gjoja kërcënime kundër zyrtarëve shtetërorë.

Qindra mbështetës të ish-kryeministrit u mblodhën jashtë shtëpisë së tij në Islamabad pasi lajmet për hetimin u publikuan, duke u zotuar se do të “marrin në dorë” kryeqytetin nëse policia përpiqet ta ndalojë atë.

Policia e pranishme në vendngjarje tha se nuk ishte aty për të arrestuar ish-udhëheqësin, por për të ruajtur rendin dhe ligjin.

Rasti vjen në një kohë të tensionit të shtuar midis qeverisë së Pakistanit dhe Khan, i cili u rrëzua nga pushteti në prill në një votë mosbesimi.

Të shtunën, rregullatori i medias në Pakistan njoftoi se kanalet televizive do të ndalohen të transmetojnë fjalimet e tij drejtpërdrejt, duke e akuzuar Khan për gjuhë të urrejtjes kundër institucioneve shtetërore.

Ish-udhëheqësi pretendon se qeveria po përpiqet ta censurojë atë. Të dielën, ai kritikoi ndalimin në një tubim tjetër politik në qytetin Rawalpindi.

“Çfarë krimi ka kryer Imran Khan? Unë kurrë nuk do ta pranoj këtë bandë hajdutësh”, u tha ai mbështetësve të tij.

Pavarësisht se u rrëzua nga pushteti në një votë mosbesimi në fillim të këtij viti, Imran Khan vazhdon të llogarisë në mbështetjen e shumë votuesve pakistanezë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco