Pse nuk i prek shteti maqedonas “Komitët”

Pse nuk i prek shteti maqedonas “Komitët”

15:19, 21/09/2020

Tifo-grupi i Shkupit “Komitët” nuk di të ndalet me fyerjet në baza etnike kundër etnisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Fyerjet se “Shqiptar i mirë, është shqiptar i vdekur”, nga ky tifo-grup brenda një jave u përsëritën dy herë. Rasti i fundit ndodhi të shtunën në lagjen Gjorçe Petrov, ku rreth 30 pjesëtarë të këtij grupi filluan ta ofendojnë kolonën e veturave me krushq shqiptarë, të cilët shkonin apo ktheheshin nga një dasmë. Fatmirësisht, eskalimi i situatës nuk ndodhi, më tepër për shkak të pjekurisë së krushqve shqiptarë, të cilët me gjakftohtësinë e tyre i përzunë nga rruga ku qëndronin huliganët. Mirëpo, kjo ngjarje mori jehonë të madhe në rrjetet sociale, ku reagimet më të shpeshta ishin se njëherë e përgjithmonë këtyre dukurive duhet t’ju jepet fund
Përpos qytetarëve të rëndomtë, revoltën e tyre për këtë ngjarje e shprehën edhe shumë aktivistë për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, përfshi edhe juristë të ndryshëm. Sjellja e këtillë e “Komitëve”, sipas avokatit Asmir Alispahiç, duhet të sanksionet sa më shpejtë, me qëllim që mos të vijë deri te pasojat e padëshiruara. Kjo, siç thotë ai, duhet të ndodh për të mirën e vendit i cili synon anëtarësimin në BE.
Duke folur për gazetën KOHA, avokati Alispahiç, thotë se autoritet shtetërore këto ngjarje mund t’i procedojnë në bazë të tre veprave penale, gjegjësisht për “diskriminim racor”, “shkaktim të rezistencës”, si dhe për “tallje me popullin maqedonas dhe pjesëtarët e komuniteteve”. Shqiptimi i dënimeve për kryerjen e këtyre veprave parashihet të jetë në të holla, ose me dënim me burg nga tre-gjashtë muaj deri në tre apo pesë vite heqje lirie.

POLICIA SI GJITHMONË, HUMBET NË IDENTIFIKIME

Në ndërkohë, nga Ministria e Punëve të Brendshme si institucioni që duhet të merret me procedimin e këtyre veprave, si gjithmonë – asgjë e re. Pos që “po identifikohen”, deri më tani nuk ka ndonjë padi penale. Thonë shkurt se për ngjarjen e 13 shtatorit, ku tifo-grupi “Komitët” në sheshin e qytetit këndonte “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”, ata si institucion janë duke i marrë të gjitha masat për zbardhjen e rastit. Një gjë të tillë paralajmërojnë se do ta bëjnë edhe për ngjarjen e fundit në Gjorçe Petrov.
“Lidhur me dy ngjarjet në fjalë në koordinim me prokurorinë punojnë në mënyrë intensive për zbardhjen e tyre dhe ngritjen e padive. Po vërtetohet identiteti i pjesëmarrësve dhe po ftohen në stacione policore. Konkretisht, për ngjarjen e së shtunës kemi vërtetuar identitetin e 16 personave dhe po ndërmarrim aktivitet plotësuese për zbardhjen e rasteve. Në mënyre intensive punojmë me qëllim sanksionimin e këtyre rasteve”, thonë nga MPB.

Mos toleranca në bazë etnike e shkaktuar së fundmi nga ky tifo-grup zuri hapësirë edhe në njërën prej mbledhjeve të fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, e cila ashpër e dënoi gjuhën e urrejtjes dhe i bëri thirrje Prokurorisë Publike që të reagoj konformë kompetencave të saja.
Huliganizmin e “Komitëve” dhe përkeqësimin e raporteve ndër etnike në Shkup, gjatë viteve të fundit e konfirmon edhe raporti i fundit Komitetit të Helsinkit, për vitin 2019, ku theksohet se nëpër lagje të ndryshme të kryeqyteti, kryesish pranë stacioneve të autobusëve dhe në oborret e shkollave, ndodhin përleshje mes të rinjve shqiptarë dhe maqedonas.

MENTALITET PRIMITIV I “KOMITËVE”

“Komitët ” janë shembulli më i keq i tifo grupeve që edhe kur humb ose kur fiton ekipi i tyre, mllefin ose gëzimin e shprehin tek dëshira për “shqiptarin e vdekur”. Kështu thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, sipas të cilës, janë këta tifoz komit frikacak që burrërinë e tyre mundohen ta tregojnë tek ai shqiptari i pafajshëm, që shikon punën e vetë. “Por ky vandalizëm me brohoritje antishqiptare dhe ksenofobike jo që nxjerr në pah edukatën e tyre familjare, por vë në sprovë institucionet dhe organet shtetërore që duhet ta mbrojnë rendin dhe qetësinë, që për 30 vite me radhë përpos një komunikate se po hulumtohet rasti për gjetjen e personave qe prishin rendin publik dhe rrezikojnë tensione ndëretnike, ata kurrë nuk e ndëshkuan një ‘tifoz komit’ që e dëshiron shqiptarin e vdekur. Është koha që tifozët komit ta kuptojnë se bëjnë gabim me brohoritjet e tyre anti shqiptare dhe ta kuptojnë se eventet sportive kanë për qëllim që të krijojnë afërsi dhe tolerancë duke i bashkuar popujt por edhe njerëzit. Përderisa nuk do ta kuptojnë këtë do të ngelin tifozë primitiv”. Organet e rendit, thuhej më tej në reagim, ta bëjnë punën e tyre që i obligon ligji, në të kundërtën do të vlerësohen si nxitës të këtyre brohoritjeve që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve!

SULMET NDAJ CIVILËVE SHQIPTARË
Të përkëdhelurit e shtetit, tifo-grupi “Komitët”, prej themelimit të Maqedonisë e këndej në vazhdimësi kanë mbjellë dhe shprehur urrejtje ndaj etnisë shqiptare në vend, sidomos asaj shkupjanëve. Sulmet ndaj qytetarëve të rëndomtë shqiptarë të shkaktuar nga ky tifo-grup janë të panumërta, megjithatë nuk mbahet mend se ndonjë pjesëtarë i këtij grupi të tifozëve të jetë i dënuar apo i gjobitur. Faktin se ky grup zakonisht për shënjestër e ka popullatën civile shqiptare, e dëshmojnë dhjetëra ngjarje në dy dekadat e fundit. Sulmet ndaj banorëve shqiptarë të Nerezit në vitin 2009, rrahja e nxënësve shqiptar në vitin 2013 pas zgjedhjes së Talat Xhaferit, për ministër të Mbrojtjes, rrahja e qytetarëve të Hanit të Elezit, vitin e kaluar e shpjegojnë më së mirë arsyen e ekzistencës së tyre. Janë rrahur dhe sulmuar edhe shqiptarë të Kosovës, ndërsa deri më tani, Prokuroria nuk ka një vendim të prerë për dënimin me burg të huliganëve të Vardarit. Kjo prokurori, pos në të holla, apo ndonjë dënimi tek-tuk me kusht, deri më tash ka heshtur dhe vazhdon të heshtë ndaj racizmit dhe fyerjeve ndaj shqiptarëve

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco