Afganistan, Hekmatyar i gatshëm të shtrëngojë duart me Talebanët

Afganistan, Hekmatyar i gatshëm të shtrëngojë duart me Talebanët

11:10, 21/09/2020

Udhëheqësi veteran i muxhahedinëve afganë dhe kreu i partisë Hezb-e-Islami, Gulbuddin Hekmatyar ka shprehur gatishmërinë e tij për të formuar një aleancë me talebanët në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Hezb-e-Islami është gati për bisedime të drejtpërdrejta me talebanët si dhe për partneritet dhe bashkëpunim. Ne besojmë se nëse këto dy grupe shtrëngojnë duart, kriza në Afganistan do të përfundojë së shpejti dhe asnjë forcë nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë përballë tyre", u tha ai sot mbështetësve në selinë e partisë në kryeqytetin Kabul.

"Kur të përfundojë raundi i parë i bisedimeve midis Kabulit (qeverisë afgane) dhe talebanëve ne jemi gati si Hezb-e-Islami dhe talebanët të fillojnë bisedimet. Vendimi tani i mbetet i talebanëve", tha ai.

Talebanët, të angazhuar në bisedime të drejtpërdrejta historike me qeverinë afgane që nga e shtuna e kaluar, ende nuk kanë komentuar mbi ofertën.

Hekmatyar pohoi se qeveria afgane është "e dobët dhe e përçarë", ndërsa talebanët dhe Hezb-e-Islami "ndajnë bindje, vlera dhe ideologji të ndërsjella".

Në fillim të këtij muaji, ai tha se SHBA e kishte kuptuar se prania e tyre në Afganistan nuk kishte rezultuar në asgjë përveç humbjeve financiare dhe njerëzore.

"Ata (amerikanët) duan një marrëveshje me talebanët, e cila do të zbatohej me shpejtësi dhe pa vonesa, ndërsa qeverisë së Kabulit gjithashtu i është thënë që marrëveshja do të zbatohet (edhe nëse ata e kundërshtojnë atë)", tha ai.

Hekmatyar pretendon se qeveria afgane kërkon shtyerjen e procesit të paqes deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Në lidhje me rolin e vendeve të tjera të rajonit, ai tha se India, për shkak të rivalitetit të saj me Pakistanin, ishte e pakënaqur me nxitjen e paqes dhe kishte filluar të mbështeste milicitë lokale për të vepruar për të prishur procesin.

"Kina dhe Pakistani kanë një qëndrim të përbashkët dhe të koordinuar për Afganistanin, jo vetëm që mbështesin procesin e paqes, por ata e shohin atë si të dobishëm për interesat e tyre rajonale, posaçërisht nëse kjo çon në reduktimin e pranisë së Indisë në Afganistan", tha ai

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco