Nga Irhan Jubica - Shpëtoni shkrimtarin Kapllan

Nga Irhan Jubica - Shpëtoni shkrimtarin Kapllan

20:16, 07/11/2019

Duke mos operuar me mjete të jashtëzakonshme stilistike, vepra letrare e Kapllan Resulit nuk përbën ndonjë habi artistike, por nuk mund të lihet mënjanë forca e ideve që mbështillen me tekst, sidomos ideja e lirisë dhe e dashurisë njerëzore, që janë në fakt, ide themelore të njerëzimit.

Edhe pse pa lëvruar doemos ndonjë teori të vetën antishqiptare, përqafimi dhe amplifikimi që u ka bërë tezave të disa studiuesve të huaj që bartin dyshime për prejardhjen e shqiptarëve, si dhe qëndrimet ndaj disa ngjarjeve historike, kanë rezultuar fatale për Kapllan Resulin. “Të trija martesat e mija kanë dështuar, para së gjithash se asnjëra nga këto gra nuk ka qenë e denjë për mua”. Duket se shkrimtari kërkon ende gruan e jetës së tij, e ndoshta kërkon që këtë herë zgjedhjen ta bëjë ai vetë, sepse beson se “në të tri këto martesa kanë futë hundët ata të UDB-ës jugosllave dhe të SIGURIMI-t shqiptar”. “Kemi dalë edhe në fotografi bashkë, në faqen e parë të gazetës “Drita”, dhe Ismaili kurrë nuk ma dha dorën…” Kush ka lexuar qindrat e faqeve të shkruara nga Kapllan Resuli kundër Ismail Kadaresë vështirë të mendojë se ky koment i tij për të vetmen foto ku kanë dalë bashkë, madje të botuar të dielën e largët të 24 prillit 1966, shpreh keqardhje. “Shqipëria është kthyer në një varrezë të patriotizmit të vllazënve kosovarë… Mjerë Kosova që pret çlirim prej Shqipnije… Intelektualët kosovarë ndiqen nga policia dhe për këtë asht në dijeni edhe Partia… Intelektualët nuk i nevojiten Partisë, se ata nuk e hanë sapunin për djathë...Injorantat i don Partija…Ah sikur të dijmë sa patriotë kosovarë janë kalbë e kalben nëpër burgje të pafajshëm…”
(Nga letrat e Kapllan Resulit drejtuar Agim Gjakovës, viti 1961)

Nga burgu i Burrelit me 6 thasë dorëshkrime

“Sot u zhburgua … Kapllani, komunisti Kapllan Resul Bejkoviç… E pashë nga dritarja, teksa nxorri nga jashtë telave të rrethimit të burgut nja gjashtë thasë të mëdhenj, në të cilët ka shkrimet…”
Nga Burreli, Fatos Lubonja i ka shkruar këto fjalë më 7 dhjetor 1990, ditën kur Kapllan Resuli u lirua pas 20 vjetësh burgim. Një ditë më parë, në “Bota e Re” të Prishtinës ishte kërkuar lirimi i shkrimtarit. Vështirë të besohet si rastësi që edhe intervista e parë e Resulit pas lirimit nga burgu u botua po në Kosovë, ku ishin shkruar në vijimësi artikuj në mbështetje të tij e ku iu premtua edhe botimi i librave, ndërkohë që në Shqipëri nuk heshtej më për të si përpara, por kishin nisur sulmet. Ata që e kujtojnë Shqipërinë e fillimit të viteve ’90 e dinë se diktatura brenda telave me gjemba ra, por jo për të gjithë. Totalitarizmi kishte bërë punën e tij në ndërgjegjen e njerëzve. Megjithatë, vetëm pak kohë i mjafton Kapllan Resulit që t’u përgjigjet individualisht sulmeve që i ishin bërë, bllokadës së emrit, si dhe atyre që i quan atentate ndaj personit të tij. Ai kthehet në skenë kryesisht me ribotime të sukseseve “Bujana” e “Tradhtia”, krahas polemikave të ngeshme me “një nga shkaqet e arrestimit” të tij, Ismail Kadarenë, pa i hapur deri vonë thasët e burgut. Madje një pjesë e konsiderueshme e bibliografisë së tij përbëhet nga libra polemizues, si dhe kujtimesh apo kritikash të shkruara pas lirimit nga burgu. Të sakta, por të ashpra e me referenca të shumta, polemikat do t’i kenë marrë Resulit kohën, por ndoshta edhe frymën e letërsisë së mirëfilltë, pasiqë veprat origjinale letrare të shkruara gjatë kësaj periudhe të lirisë, nuk i kanë tejkaluar botimet e tij të viteve ’60. E vërteta është se duke mos operuar me mjete të jashtëzakonshme stilistike, vepra letrare e Kapllan Resulit nuk përbën ndonjë habi artistike, por nuk mund të lihet mënjanë forca e ideve që mbështillen me tekst, sidomos ideja e lirisë dhe e dashurisë njerëzore, që janë në fakt, ide themelore të njerëzimit. Disa kundërshtarë të betuar të Resulit, pasardhës shpirtërorë të atyre që ia zverdhën jetën birucave, kanë shkuar larg duke thënë se “Tradhtia” nuk ngjan në stil, gjuhë e realizim artistik me veprat e tjera të po asaj periudhe, ndërsa me të tashmet nuk ka qasje fare. Mirëpo me gjasë qëllimisht harrohet se Kapllan Resuli e ndonjë tjetër u hoqën përdhunshëm nga gara për 20-30 vjet rresht, duke i shtyrë në kufijtë e ekzistencës, periudhë prej së cilës në planin artistik nuk priten mrekulli, dhe rikthimi i tyre në garën letrare shqiptare u prit me po aq urrejtje sa ç’ishte shoqëruar edhe ikja. Për të mos folur për breza lexuesish të cilët ishin shpëlarë mjaftueshëm nga trutë sa të mos shfaqnin interes për llojin e letërsisë së shkruar e të kyçur para 40 vjetësh. Në këtë prizëm, thasët e burgut të Kapllan Resulit kuptueshëm mund të mos kenë tjetër përveç ditarëve, kujtimeve, studimeve e polemikave, për të cilat burgu është më imponues.

Studime e polemika në dëm të letërsisë?

“E fejuara e detarit”, “Fanola”, “Ushtima e Korabit”, “Tramuntana” e sidomos “Tradhtia”, por ndoshta edhe “Gjarpni” përshkohen prej frymës humaniste, janë shkruar me realizëm e ndonëse ndonjëra vuan prej asaj ideologjie që ka bërë të vdesin veprat e plota të sa e sa shkrimtarëve shqiptarë - këta tituj pra, përbëjnë atë çka nuk dihet për Kapllan Resulin. Kur bie fjala te Kapllan Resuli, mendimi i përgjithshëm i njohësve të tij është se këta vepra përbëjnë pjesën më të mirë të krijimtarisë së tij, por nuk kanë munguar edhe thirrjet për të ngritur në majë të krejt letërsisë shqipe veçanti si “Tradhtia”. Mirëpo Resuli nuk është mjaftuar të njihet thjesht si shkrimtar, status të cilin, pavarësisht burgut, edhe ai vetë duhet të jetë i bindur se e ka gëzuar deri në fillim të viteve ’90. Resuli i ka shtuar vetes, sipas atyre që e kanë linçuar, jo pak gjynahe të tjera, që kryesisht kanë të bëjnë me botimet e tij të natyrës studimore.
Ndonëse pa kurrfarë rëndësie politike a shtetërore, deklarimi i tanishëm si internacionalist - për të mos u shprehur për pavarësinë e Kosovës - i njeriut që thotë se më 1961 hodhi parrullën “Kosova Republikë” e që do të dënohej në Tiranë [jo si shkrimtar (!)] edhe për “Programin dhe Statutin e Frontit Nacional-Çlirimtar për çlirimin e Kosovës“ (Vendimi nr. 150, dt. 15 qershor 1971), e bën Resulin o të pasinqertë ndaj kësaj pjesës së vyer të së kaluarës së tij si autor i “Tradhtisë”, o të lidhur me nostalgjinë e një Republikë të shtatë të Kosovës brenda shumëkëmbëshit Jugosllavi, gjithsesi jashtë kohe. Edhe pse pa lëvruar doemos ndonjë teori të vetën antishqiptare, përqafimi dhe amplifikimi që u ka bërë tezave të disa studiuesve të huaj që bartin dyshime për prejardhjen e shqiptarëve, si dhe qëndrimet ndaj disa ngjarjeve historike, kanë rezultuar fatale për Kapllan Resulin. E vërteta është se brenda këtyre librave ka mjaft fjalë të rënda që të vërteta ose jo, ngaqë nuk u pëlqejnë, disa shqiptarë ia kanë dalë t’i paraqesin si shprehje të antishqiptarizmit, mos-seriozitetit shkencor e sharlatanizmit të Kapllan Resulit. Sharlatanizëm të cilit i janë përgjigjur me vandalizëm, duke fyer personalisht Resulin, por duke mos u marrë, si rëndom, me argumentet. Me jo më shumë se një përjashtim, punimet e tij shkencore nuk janë marrë asnjëherë në konsideratë në Shqipëri, e dihet se në këtë aspekt, qëndrimi i “atyre në Shqipëri” ishte përcaktues për qëndrimet e të tjerëve. Gjërat që s’duhej të ishin të lidhura u lidhën aq sa sot, jo vetëm nuk i njihet më këtij autori asnjë meritë letrare, jo vetëm që nuk është përfshirë në asnjë përmbledhje të çfarëdo niveli të hartuesve seriozë e amatorë, shqiptarë, gjermanë e kanadezë të antologjive letrare, jo vetëm që i mohohet autorësia e “Tradhtisë”, por urrejtja ndaj tij shkon deri në lëvdatën për atë që e burgosi: “Mirë ia ka bërë Enver Hoxha Kapllan Resulit”. Vijon edhe më e rëndë kjo deklaratë antinjerëzore e bërë në një gazetë të Tiranës nga një diplomat demokrat në prag të vitit 2000, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e shërbimit sekret për t’ia ndaluar hyrjen në Shqipëri. Kësisoj ndoshta nuk është e gabuar të thuhet se bashkë me “Fytyrën e vërtetë të Ismail Kadaresë”, të cilën aq fort është kujdesur ta shpërndajë edhe në frëngjisht e serbo-kroatisht, këto lloj studimesh ia kanë rrënuar Kapllan Resulit imazhin e shkrimtarit dhe të veprës së tij letrare. Paradoksi qëndron në faktin se të njëjtit profesorë, shkrimtarë e të tjerë ë që përkthejnë, botojnë a lavdërojnë edhe librat e një personazhi antishqiptar të çertifikuar si Ivo Andriç që nuk ka shkruar shqip, nuk lejojnë as të përmendet krijimtaria e një autori si Kapllan Resuli që i përket me detyrim letërsisë shqipe, më së paku sepse ka shkruar shqip. Këtu nuk kërkohet të hidhet poshtë vepra letrare e nobelistit, por të mos përdoret një standard tjetër kur trajtohen shkrimtarë të tjerë. Më tej, dikush që “verës nuk shkruan poezi / por vë mullarë të freskët” kërkon shkuljen nga letërsia shqipe të krijimtarisë së shkrimtarëve që kanë sharë shqiptarët në veprat e tyre letrare, qoftë edhe nëse këto sharje i kanë vënë në gojën e një pushtuesi turk si Mekami. Sipas kësaj logjike, Kapllan Resulin e pret ferri.

“Historia martesash të trishta”

E ka merituar apo jo fatin e tij, nuk është e lehtë për një burrë 74-vjeçar të pohojë se të trija martesat e tij kanë qenë të dështuara, në kohën kur konsumon ende njërën prej tyre: “me asnjërën familje nuk jam ndjerë mirë, aq më pak më mirë”. Në fakt, nuk ka dëshmi që Resuli të jetë hequr si donzhuan marksist, një modë aq e përhapur sidomos ndërmjet intelektualëve të bllokut komunist të Lindjes, gjatë viteve ’60, edhe pse kur dëgjon prej gojës së tij sot, se do të dëshironte të martohej së katërti, natyrshëm mund të të vijë në mend një qejfli. Por s’është aspak kështu. “Të trija martesat e mija kanë dështuar, para së gjithash se asnjëra nga këto gra nuk ka qenë e denjë për mua”. Duket se shkrimtari kërkon ende gruan e jetës së tij, e ndoshta kërkon që këtë herë zgjedhjen ta bëjë ai vetë, sepse beson se “në të tri këto martesa kanë futë hundët ata të UDB-ës jugosllave dhe të SIGURIMI-t shqiptar”. Por si mund të kenë ndikuar shërbimet sekrete në martesat e Kapllan Resulit? Kjo s’është një deklaratë e re; edhe më parë ai ka shkruar për këtë temë, sidomos për martesën e dytë, në Lushnje, duke aluduar për rrethana të sajuara. Psikologët do të thoshin se pas vitesh të tëra përndjekjeje e persekutimi, njeriu bie prè e paranojës, por është e sigurt se Kapllan Resuli nuk mendon kështu, pavarësisht se vazhdon të shohë armiq edhe në shtrat. Prej fryteve të martesave të tij të shpërndara nëpër botë, ai ndjen më shumë keqardhje pikërisht për fëmijët që pati nga kjo lidhje e dytë: Arbenin dhe Arbanën, të cilët iu burgosën e dhunuan menjëherë pas rënies së tij në burg. Sigurisht që edhe gruaja nuk pati fat më të mirë. Dhe duke e krahasuar për një moment veten me Antonio Gramshin apo Gjergj Dimitrovin ndërsa Enver Hoxhën me Musolinin apo Hitlerin, Kapllan Resuli thotë se asnjëri prej atyre diktatorëve nuk ia preku familjen kundërshtarit të burgosur, por u mjaftuan me tortura vetëm mbi të.
Kështu, edhe pse nuk ka gjasa të ndodhë, martesa e ardhshme e Kapllan Resulit do të duhej të bënte një mrekulli: t’i jepte këtij njeriu me tre familje të shkatërruara, një vatër të ngrohtë për ditët e mbetura të jetës. Atë vatër që s’e pat kurrë as Kafka, megjithë përpjekjet e shumta. E të dëshpëruara.

“Ismaili kurrë nuk ma dha dorën…”

“Kemi dalë edhe në fotografi bashkë, në faqen e parë të gazetës “Drita”, dhe Ismaili kurrë nuk ma dha dorën…” Kush ka lexuar qindrat e faqeve të shkruara nga Kapllan Resuli kundër Ismail Kadaresë vështirë të mendojë se ky koment i tij për të vetmen foto ku kanë dalë bashkë, madje të botuar të dielën e largët të 24 prillit 1966, shpreh keqardhje. Megjithatë, e ngrirë në atë çast pushimi të një simpoziumi për prozën, buzëqeshja në fytyrat e katër shkrimtarëve, ngjan më e natyrshme se pozimi për faqen e parë të gazetës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Resuli vinte nga një vit i suksesshëm: romani ku prifti vritej duke mbrojtur në kishë një partizan kosovar ndërsa hoxha i bashkohej gjithashtu lëvizjes antifashiste në Jugosllavi, kishte bërë xhiron e një Shqipërie që ishte gati të fuste në burg edhe vetë Zotin, se kosovarët ishin se ishin burgjeve. Më vonë Kadare do ta quante “stalinist” e “dogmatik” romanin e vlerësuar nga kritika si “shprehës i tragjizmit të shqiptarëve”, por është rasti të kujtohet se çfarë ka shkruar ai për Fishtën, për të kuptuar kahjen e vërtetë të vlerësimit për “Tradhtinë”. Rrallëherë shkrimtarët pranojnë se do të kishin dashur ta shkruanin ata veprën e sukseshme të një kolegu. Kadare nuk është shprehur ndonjëherë se do të kishte dashur ta shkruante ai “Don Kishotin” a “Procesin”, ndaj duket e kuptueshme, që sipas Resulit, ai as e ka uruar për suksesin e romanit, madje, “është ndjerë xheloz”. Veç dualizmave, shkrimtarët janë njerëz me po aq kontradikta të vogla e meskinitete sa dhe një shtrëngim dore, prandaj nuk ka pse të jetë kaq e rëndësishme as kjo e as kritika për “Dasmën”, nëse vërtet janë këta shkaqet e një konflikti të vërtetë mes këtyre shkrimtarëve, që në fakt, ka pasur vetëm një viktimë.

13 Prill, 2008, "Gazeta shqiptare" (Suplementi "Milosao"). - Nr. 4190, f. XIV - XV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco