16 vjet nga vdekja e artistit Faruk Begolli: Aktrimi është veprim me durim

16 vjet nga vdekja e artistit Faruk Begolli: Aktrimi është veprim me durim

11:30, 23/08/2023

Sot bëhen 16 vjet nga vdekja e një prej aktorëve më të spikatur të skenës vendore e jugosllave, Faruk Begolli.

Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke lënë prapa vetes në secilën rol profesionalizmin e tij që çmohet edhe sot e asaj dite. Ai mbetet unik në mënyrën se si i ka përçuar rolet, se si iu ka qasur profesionit të pedagogut e se si ka lënë gjurmë në historikun e kulturës së Kosovës. Ndikimi i tij në aspektin akademik e teatror është i lartë. Ai ka qenë bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ndërkaq në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar edhe Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj.

Në vitin e kaluar, dramaturgu Jeton Neziraj kishte shpërndarë letrën e Begollit drejtuar gjeneratës së fundit të studentëve të cilëve ju ka dhënë mësim si profesor. Aty Begolli jep këshilla për profesionin e aktrimit, duke i inkurajuar studentët që të jenë vigjilentë në skenë. RTKlive ua sjellë të shkëputur një fragment nga letra.

“E thatë se qëllimi juaj është të jeni sa më të mirë në skenë. Por ky ka qenë edhe qëllimi im: të jeni sa më të mirë në skenë, të bëheni të mëdhenj në skenë… Çdo fitore juaja, çdo triumf juaji në skenë është edhe fitore dhe triumf imi! Secili vend ka kushtetutën që duhet të përfillet, pasi ajo është baza e asaj shoqërie. Kështu është, apo jo?! Por edhe ky zanat yni ka disa rregulla që duhen përfillur. Kanë ekzistuar që nga antika, e vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot; kodet dhe rregullat që bashkëkrijojnë atë që mund të quhet “etikë e aktorit”. Por jo vetëm e aktorit, por edhe e studentit dhe pedagogut. Secili profesion ka kodet dhe ligjet e veta, pa të cilat ai nuk mund të funksionoj. Që në orën e parë kur jemi takuar ju kam thënë se aktrimi është “veprim” është “aksion”. Por, për të vepruar dhe për të kryer një aksion, duhet punë, duhet pregatitje. E puna dhe pregatitja kërkojnë kushte dhe rrethana, kërkojnë seriozitetin, kërkojnë durimin dhe shumçka tjetër. Pa këto cilësi “veprimi”, në skenë nuk mund të dalësh i plotë si aktor, nuk mund të dalësh bindës… Kjo është rruga për te suksesi, kjo është rruga për të mbetur gjatë në skenë…”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco