Mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Enis Çokaj, është zyrtarisht lojtar i ri i Bochum-it. Klubi gjerman ka konfirmuar afrimin e futbollistit shqiptar si përforcimin e dytë për sezonin e ardhshëm në Bundesliga 2.
27-vjeçari transferohet me parametra zero, pasi kontrata e tij me Panathinaikosin skadon gjatë verës. Çokaj ka firmosur një kontratë dyvjeçare deri në vitin 2028, ndërsa marrëveshja përfshin edhe opsion për një sezon shtesë.
Sezonin e fundit shqiptari luajti në formë huazimi te Levadiakosi në elitën e futbollit grek, ku ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Bochumi e sheh Çokajn si një mesfushor defensiv klasik në skemën e trajnerit Uwe Rösler. Klubi beson se shqiptari do të sjellë forcë fizike, disiplinë taktike dhe siguri në mesfushë (falë aftësive të tij në duelet fizike), pozicionimin në fushë dhe pasimet e gjata.
Drejtori i futbollit të Bochumit, Simon Zoller, foli me fjalë shumë pozitive për lojtarin shqiptar.
“Ai është një lojtar që nuk dorëzohet kurrë dhe ka pikërisht karakteristikat që i duhen Bochum-it: luftë, pasion, zemër në fushë, bashkim, përulësi dhe respekt,” deklaroi Zoller.
Edhe vetë Çokaj u shpreh i emocionuar për aventurën e re në Gjermani. Ai tregoi se ka ndjekur disa video nga stadiumi i Bochumit dhe ka mbetur i impresionuar nga atmosfera e tifozëve.
“Ky klub ka një histori të veçantë, vlera të mëdha dhe tifozë të jashtëzakonshëm. Kjo është arsyeja pse e dua futbollin. Mezi pres të luaj para këtyre tifozëve emocionalë dhe premtoj se do të jap gjithçka për të përjetuar momente të mëdha së bashku,” deklaroi mesfushori shqiptar.
Çokaj numëron edhe gjashtë paraqitje me Shqipëria dhe tashmë do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në futbollin gjerman.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: