E ardhmja e Manuel Neuer-it me Gjermaninë vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në futbollin gjerman, ndërsa gjithçka duket se po shkon drejt një rikthimi të madh të portierit veteran në Kupën e Botës.
Sipas raportimeve të fundit, trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, e ka përfshirë Neuerin në listën paraprake me 55 lojtarë që i është dërguar FIFA-s këtë javë.
Lajmi është bërë publik nga gazetari Florian Plettenberg, ndërsa raportimet tregojnë se mes trajnerit dhe portierit ka pasur kontakte të vazhdueshme në javët e fundit. Megjithatë, një vendim përfundimtar ende nuk është marrë.
Prej muajsh, tema e rikthimit të Neuer-it në kombëtare ka qenë objekt spekulimesh. Portieri legjendar i Bayernit kishte lënë të kuptohej disa herë se nuk planifikonte rikthimin, por situata ndryshonte pas çdo paraqitjeje të mirë të tij.
Tani, fakti që Nagelsmann e ka përfshirë në listën paraprake konsiderohet një sinjal shumë i fortë se rikthimi është realisht afër.
Sipas raportimeve në Gjermani, nëse Neuer do të kishte refuzuar përfundimisht kombëtaren, emri i tij nuk do të ishte përfshirë në listën e dorëzuar në FIFA. Pikërisht kjo ka shtuar bindjen se të dyja palët po përgatitin rikthimin e portierit për turneun e madh veror në Amerikën e Veriut.
Trajneri gjerman pritet të shpallë listën zyrtare më 21 maj dhe deri atëherë do të vazhdojnë diskutimet për praninë e Neuerit.
Nëse rikthimi konfirmohet, atëherë Gjermania do të fitojë eksperiencën dhe liderin e saj historik në një kompeticion ku synon rikthimin në majat e futbollit botëror.
Neuer konsiderohet një nga portierët më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe një figurë kyçe në triumfin e Gjermanisë në Kupën e Botës. Rikthimi i tij do të ishte një lajm i madh për tifozët gjermanë dhe për vetë skuadrën e Nagelsmann-it.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: