De la Fuente paralajmëron Francën: Spanja është rritur dhe është gati për finalen

De la Fuente paralajmëron Francën: Spanja është rritur dhe është gati për finalen

17:58, 13/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, është shprehur i kënaqur me evolucionin që ka treguar skuadra e tij gjatë Kupës së Botës, në prag të gjysmëfinales së madhe ndaj Francës. Tekniku spanjoll theksoi se barazimi 0-0 ndaj Kepit të Gjelbër në ndeshjen hapëse tashmë i përket së kaluarës dhe se ekipi ka bërë përparim të dukshëm.

Pas atij fillimi zhgënjyes, Spanja ka regjistruar pesë fitore radhazi dhe tani ndodhet vetëm një hap larg finales së dytë në historinë e saj, duke synuar të përsërisë suksesin e vitit 2010.

"Ndjehet sikur ajo ndeshje i përket një Botërori tjetër, një viti tjetër dhe një shekulli tjetër", deklaroi De la Fuente për televizionin spanjoll RTVE.

Ai theksoi se skuadra nuk ka ndryshuar filozofinë e saj, por ka vazhduar të ndjekë planin e përgatitur që nga fillimi.

Trajneri spanjoll pranoi se nuk është i befasuar që përballet sërish me Francën, pas dueleve në gjysmëfinalen e Euro 2024 dhe në Ligën e Kombeve 2025.

Sipas tij, kjo sfidë do të jetë krejtësisht ndryshe nga përballjet e mëparshme.

"Franca është një nga favoritët. Të dyja skuadrat janë përmirësuar dhe ndeshja do të jetë ndryshe si nga ana taktike, ashtu edhe nga ajo futbollistike", u shpreh ai.

De la Fuente u ndal edhe te talenti Lamine Yamal, i cili mbushi 19 vjeç, duke theksuar se sulmuesi ende nuk ka zhvilluar ndeshjen e tij më të mirë në këtë Botëror dhe se pret që ai të jetë vendimtar në fazën finale të turneut.

Në përfundim, trajneri spanjoll nënvizoi se një Kupë Bote është një proces evolucioni, ku çdo kundërshtar paraqet sfida të ndryshme, ndërsa shtoi se Spanja dhe Franca e njohin shumë mirë njëra-tjetrën, çka premton një gjysmëfinale spektakolare.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco