Zgjedhjet në FIGC, pranohen dy kandidatura, Abete dhe Malago

Zgjedhjet në FIGC, pranohen dy kandidatura, Abete dhe Malago

20:17, 14/05/2026

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka zyrtarizuar pranimin e kandidaturave të Giancarlo Abete dhe Giovanni Malagò për postin e presidentit të federatës.

Zyrat teknike të FIGC-së kanë miratuar në kohë rekord të dy kandidaturat, edhe pse afati përfundimtar për depozitimin e tyre ishte caktuar më 22 maj. Ndërkohë, është refuzuar kandidatura e ish-futbollistit të Lazio, Renato Miele, pasi ai nuk kishte mbështetjen zyrtare të asnjë komponenti federal.

Së bashku me kandidaturat janë publikuar edhe programet e dy pretendentëve për presidencën e futbollit italian. Zgjedhjet do të mbahen më 22 qershor dhe aktualisht Malago konsiderohet favorit.

Presidenti aktual i Komiteti Olimpik Kombëtar Italian (CONI) mbështetet nga 54% e komponentëve federativë, mes tyre Serie A, Serie B, Shoqata e Futbollistëve dhe Shoqata e Trajnerëve.

Nga ana tjetër, Abete nis garën me mbështetjen teorike të 34% të votave që vijnë nga Lega Nazionale Dilettanti, edhe pse disa delegatë të rëndësishëm, përfshirë ata të Lombardisë, pritet të mbështesin Malagon.

Pesha vendimtare mund të vijë nga Lega Pro, që zotëron 12% të votave dhe ende nuk ka shpallur zyrtarisht mbështetjen për asnjërin kandidat.

Si funksionon sistemi i votimit?

Zgjedhja e presidentit të FIGC-së zhvillohet me votim të fshehtë përmes një sistemi elektronik. Për t’u zgjedhur president, kandidatit i mjafton shumica e thjeshtë e votave të vlefshme.

Në rast se janë vetëm një ose dy kandidatë, mund të zhvillohen maksimumi tre raunde votimi. Nëse kandidatët janë më shumë se dy, raundi i parë shërben si filtër dhe dy më të votuarit kalojnë në balotazh.

Komponentët që marrin pjesë në zgjedhje ndahen sipas përqindjeve të mëposhtme:

  • Serie A – 18% të votave
  • Serie B – 6%
  • Lega Pro – 12%
  • Lega Nazionale Dilettanti – 34%
  • Futbollistët – 20%
  • Trajnerët – 10%

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco