‘Skuadra nuk më pëlqeu sot’/ Trajneri i Partizanit komenton barazimin me Egnatian

‘Skuadra nuk më pëlqeu sot’/ Trajneri i Partizanit komenton barazimin me Egnatian

17:30, 10/04/2023

Trajneri i Partizanit, Xhovani Kolela, ka deklaruar se nuk është i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij sot ndaj Egnatias, ku ekipi u ndal në barazim 1-1.

“Nuk jam aspak i kënaqur. Jam i kënaqur për pikën se sipas meje Egnatia edhe mund ta fitonte ndeshjen. Por për pjesën tjetër kam pak për të qenë i kënaqur.

Skuadra nuk më pëlqeu sot. Nuk më pëlqeu në pjesën e parë, të dytë, shtesë, para e mbrapa. Pikë. Kur jam kështu, nuk di çfarë të them. Nuk më pëlqeu as në pjesën e parë, se mund të shfrytëzonim më mirë 2-3 situata”, tha Kolela për “Oversport” pas përfundimit të ndeshjes.

Më tej tekniku italian i të kuqve shtoi: “Vlerësimi im nuk është rreth pikës, pika është mirë, Egnatia bëri një ndeshje të mirë dhe ndeshje të tilla të nivelit të lartë janë gjithmonë të ekuilibruara. Nuk e diskutoj pikën, nuk është se po shkul flokët nga dëshpërimi se nuk fituam.

Luajmë futboll, nuk është se kur luan keq humb, e kur luan mirë fiton. Ne luajmë si të jetë e mundur, nuk kemi bërë asgjë, nuk kemi luajtur mirë dhe as nuk fituam. Nuk është e vërtetë që duhet të luash keq për të fituar. Ky është një koncept tërësisht vetëm italian dhe shqiptar, në asnjë vend tjetër të botës.

Nuk luajtëm mirë dhe nuk fituam, se u ndamë barazim. Jam këtu prej 10 muajsh, të duket se është zgjedhja ime të kthehemi mbrapa?! Na detyruan duke luajtur një ndeshje të mirë, Egnatia është një skuadër shumë e mirë, ndaj… Por edhe përballë një skuadre që luan mirë, mund të bësh diçka më shumë se sa kemi bërë ne. Se kishim 3-4 kundërsulme në pjesën e dytë dhe nuk ia dolëm t’i shfrytëzonim. Nëse do të ishim cinikë, edhe mund të fitonim, por as këtë nuk arritëm ta bënim sot”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco