Premier League/ Liverpooli futet në krizë, Manchester United fiton me vuajtje në shtëpi

Premier League/ Liverpooli futet në krizë, Manchester United fiton me vuajtje në shtëpi

18:20, 04/02/2023

Tre humbje në katër ndeshjet e fundit të Premier League dhe Liverpool është sërish në krizë rezultatesh.

“The Reds” u mposhtën në transfertë nga Wolverhampton me rezultatin 3-0, teksa që nuk do të ishte një ndeshje me fat për të besuarit e trajnerit Jurgen Klopp u kuptua që në pesë minutat e para kur Joel Matip shkaktoi autogol në portën e tij.

Shtatë minuta më pas, vendasit ndëshkuan sërish Liverpool, këtë herë me anë të Dawson.

Dy gola të shpejtë që lejuan “Ujqit” të menaxhonin sfidën pavarësisht përpjekjeve të Liverpool ndërsa në fraksionin e dytë, vendasit i dhanë goditjen përfundimtare teksa Ruben Neves shënoi të tretin në minutën e 71-të.

Pas kësaj disfate, Liverpool mbetet në vend të 10-të me 29 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Wolverhampton ngjitet në kuotën e 20 pikëve në vendin e 15-të.

Ndërkohë, Manchester United rikthehet te suksesi teksa mposhti në shtëpi Crystal Palace me rezultatin 2-1.

Ishte Bruno Fernandes që zhbllokoi shifrat e ndeshjes teksa u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e shtatë.

Në fraksionin e dytë, Marcus Rashford gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 62-të pas një kombinimi të bukur me Shaw.

Kur u duk se rezultati ishte i sigurt, një sherr masiv në fushë solli kartonin e kuq të Casemiros me United që mbeti në inferioritet numerik.

Crystal Palace reagoi dhe shënoi me anë të Schlupp në minutën e 76-të. Minutat e mbetura ishin të vuajtura për të besuarit e trajnerit Erik ten Hag, megjithatë “Djajtë e Kuq” ia dolën të ruanin rezultatin dhe në fund dolën me tre pikë duke u ngjitur kështu në vend të tretë me 42 pikë.

Nga ana tjetër, Palace mbetet në vend të 12-të me 24 pikë.

Sakaq, në ndeshjet e tjera të Premier League, Aston Villa u mposht në shtëpi me rezultatin 2-4 ndaj Leicester, ndërsa Brentford mposhti 3-0 Southampton.

Tre pikë mori edhe Brighton që mposhti 1-0 Bournemouth.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco