Shqiptari me ëndrra të mëdha, Azizi: Krenar që lojtarët tanë kanë ‘pushtuar’ Seria A, dua të ndjek gjurmët e Canës

Shqiptari me ëndrra të mëdha, Azizi: Krenar që lojtarët tanë kanë ‘pushtuar’ Seria A, dua të ndjek gjurmët e Canës

19:14, 07/03/2022

Bilario Azizi, i lindur në Itali, ka nisur të luajë futboll që në moshën 6 vjeçare. Mesfushori qendror është një nga lojtarët kryesorë në këtë sezon me U-18 e Torinos

 “Që i vogël kam pasur dëshirë të loz me top, babi edhe vëllai më kanë përkrahur gjithmonë. Familja ime më rri shumë pranë, veçanërisht babi edhe vëllai që më ndjekin në çdo ndeshje dhe stërvitje”.

Hap pas hapi Bilario nisi t’i ngjiste shkallët, duke nisur gjithçka në klubin e Torino. Nga mosha 7-vjeçare u regjistrua te “Demat” dhe tani është pjesë e Torino U-18.

Talenti i tij nuk mund të kalonte pa u vënë re nga Shqipëria, ku për herë të parë, në gusht të vitit 2021 ishte pjesë e Shqipërisë U18, që drejtohet nga Ardi Behari.

Sigurisht mesfushori nuk e harron atë grumbullim, teksa thotë: “Jam krenar që vesha fanellën kuq e zi kundër Italisë. Më është plotësuar kështu dëshira që kisha për të lozur me kombëtaren. Ishim një grup i fortë kundër Italisë dhe ndeshja shkoi shumë mirë, ndaj një prej ekipeve më të forta në botë. Jam krenar që kam arritur deri këtu dhe shpresoj të arrije akoma më lart”.

Shembujt Bilario i ka të fortë, nisur edhe nga pozicioni ku ai luan në fushën e blertë. Muskujt janë të rëndësishëm dhe duhet shumë vrap. Ai ka zgjedhur si shembuj dy futbollistë që për tifozët e tyre dhe për ekipet ku luanin, bëheshin copë.

“Lorik Cana është lojtari shqiptar që më motivon më shumë. Më pëlqente shumë energjia dhe vendosmëria që kishte në fushën e lojës”, tregon Azizi, i cili më pas e kompleton përgjigjen e tij me një tjetër lojtarë që të merrte gjak në vetull. “I huaji që më motivon është Gennaro Gattuso”.

Bilario e ëndërron që një ditë të luajë në kampionatin elitar të futbollit në Itali.

“Jam krenar kur shikoj kaq shumë futbollistë shqiptarë në Serie A. Edhe unë shpresoj të arrij një ditë ku kanë arritur bashkëkombësit e mi tani. Jam i ri dhe duhet të vazhdoj të punoj të arrij aty ku dua”, ka shtuar mesfushori i moshave të Torinos.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco