Rritja e çmimit të naftës ka dhënë një goditje të fortë në tregun e fruta-perimeve në Vlorë, duke sjellë rritje të ndjeshme të çmimeve dhe ulje të fuqisë blerëse.
Tregtarët shprehen se situata është rënduar ndjeshëm: shitjet kanë rënë dhe shumë prej tyre nuk po arrijnë të mbulojnë kostot. Sipas tyre, mungesa e klientëve dhe çmimet e larta po i çojnë drejt falimentimit, ndërsa një pjesë tashmë janë larguar nga tregu.
Nga ana tjetër, qytetarët kryesisht të moshuar ankohen për çmime të papërballueshme. Një kilogram domate arrin deri në 400 lekë të reja (rreth 4 mijë lekë të vjetra), duke e bërë të vështirë përballimin e shportës ditore.
“Unë marr 150 mijë lekë të vjetra pension. Si mund t’ia dal me këto çmime? Sot shpenzova vetëm 4 mijë lekë dhe mezi bleva disa produkte,” u shpreh një i moshuar.
Një tjetër qytetare tregoi vështirësitë ekstreme ekonomike:
“Jemi pa punë, jetojmë vetëm me ndihmë ekonomike. Marrim edhe me listë. Vajza mbaroi për infermieri, por nuk po gjen punë. Sot mora vetëm 1 kg speca… nuk ia dalim dot.”
Situata rëndohet edhe më shumë nga kushtet e tregut, të cilat sipas qytetarëve dhe tregtarëve janë jashtë çdo standardi, duke reflektuar mungesë investimesh dhe vëmendjeje nga institucionet përgjegjëse.
Ndërsa çmimet vijojnë të rriten, frika është se kriza do të thellohet edhe më tej, duke prekur si tregtarët ashtu edhe familjet më të varfra në Vlorë.
© SYRI.net