SYRI TV/ Ndotje alarmante e liqenit artificial në Tiranë, KLSH publikon raportin: Qytetarët larg nga uji

14:20, 13/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rreth një vit pasi syri televizion denoncoi ndotjen e ujit në liqenin artificial të Tiranës, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar një raport që tregon se ndotja është alarmante. KLSH u kërkon autoriteteve përgjegjëse të njoftojnë qytetarët e Tiranës që të mos shfrytëzojnë ujërat e liqenit, për shkak të ndotjes, që shkaktohen nga banesat dhe kopshti zoologjik. Ndonëse prej një viti situata është alarmante, bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi nuk kanë marrë masa për të parandaluar ndotjen e ujit në liqenin artificial.

Qytetarët duhet të njoftohen menjëherë që të mos shfrytëzojnë ujërat e Liqenit Artificial në Tiranë për peshkim apo aktivitete të tjera, pasi ndotja e tij është në nivele alarmante.  Mesazhi i fortë jepet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili sapo ka përfunduar një procedurë kontrolli mbi cilësinë e trupit ujor të asaj që konsiderohet si mushkëria e vetme e mbetur në kryeqytet. Situata bëhet akoma më e rëndë, pasi institucionet si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit janë prej kohësh në dijeni të situatës skandaloze, por Bashkia e kryeqytetit, nuk ka marrë asnjë masë konkrete.

 “Ujërat e ndotura urbane dhe të patrajtuara vijnë kryesisht nga zona  urbanizuar e Liqenit të Thatë dhe përreth Kopshtit Zoologjik. Gjithashtu, edhe bizneset që funksionojnë brenda parkut të Liqenit Artificial i shkarkojnë ujërat e ndotur brenda basenit ujor”,

Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi verifikimin e situatës kritike, pasi mori shqetësime nga qytetarë të Tiranës në Tetor 2024, ndërkohë që strukturat përgjegjëse rezultojnë se kanë qenë tërësisht neglizhente.

 “Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit, pavarësisht se ka evidentuar dhe faktuar se në liqen shkarkohen ujëra të ndotura urbane, përveç korrespondencave shkresore, nuk ka marrë asnjë masë konkrete për evidentimin e shkaktarëve të ndotjes, marrjen e masave ndaj tyre si dhe zgjidhjen e problematikës”,

Hetimi i Kontrollit të Lartë të shtetit ka nisur një vit më parë, në muajin tetor dhe nëntor, kohë kur syri televizion ka denoncuar pikërisht ndotjen e ujit në liqenin artificial të Tiranës, ndërsa raporti që ngre alarmin u publikua pikërisht në muajin korrik të këtij viti. Institucionet përgjegjëse për trajtimin dhe zgjidhjes e situatës së vështirë janë mjaftuar vetëm me korrespondencë shkresore, pa dalë asnjëherë në terren për të parë situatën konkretisht. Nga auditimi rezulton se institucionet qendrore e lokale nuk kanë evidentuar asnjë problematikë mjedisore ndër vite mbi shkaqe të mundshme të ndotjes së ujit të liqenit dhe nuk kanë kryer asnjëherë analizave për të evidentuar problematika përpara shfaqjes në sipërfaqe të ndotjes dhe marrjes së vëmendjes mediatike të problematikës së shfaqur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco