Fëmijët që lindin sot do të rriten në një ferr, zbulon një studim i zymtë për klimën

Fëmijët që lindin sot do të rriten në një ferr, zbulon një studim i zymtë për klimën

16:07, 12/05/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fëmijët që lindin sot do të përjetojnë ekstremet klimatike më të rënda ndonjëherë, sipas një studimi të publikuar në revistën Nature. Ngjarjet si valët e të nxehtit, përmbytjet, thatësirat, zjarret, ciklonet dhe dështimet e të korrave do të jenë shumë më të shpeshta dhe më të rrezikshme për brezat e rinj, veçanërisht për ata që jetojnë në varfëri.

Sipas studimit, fëmijët e lindur në vitin 2020 kanë 2 deri në 7 herë më shumë gjasa të përjetojnë ngjarje ekstreme klimatike krahasuar me ata të lindur në vitin 1960. Nëse temperaturat globale rriten me 2.7°C deri në vitin 2100, 52% e fëmijëve të lindur në 2020 do të përjetojnë valë të rrezikshme të nxehti gjatë jetës së tyre; kjo shifër ngjitet në 92% nëse ngrohja arrin 3.5°C.

Në skenarët më të këqij, 29% e tyre do të përballen me dështime të të korrave dhe 14% me përmbytje. Ata që jetojnë në zona tropikale dhe në kushte të vështira ekonomike do të jenë më të prekurit. Sipas analizës, 92% e fëmijëve nga shtresat e varfra do të jenë të ekspozuar ndaj këtyre rreziqeve, kundrejt 79% të atyre nga mjedise më të pasura.

Image

Shkencëtarët përdorën të dhëna demografike dhe modele klimatike për të vlerësuar se sa njerëz nga çdo brez do të përjetojnë ngjarje të paprecedenta. Studiuesi Luke Grant tha: “Të përjetosh një jetë të paprecedentë do të thotë të përballesh me më shumë ekstreme klimatike se sa ç’mund të ndodhte në mungesë të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.”

Megjithatë, studimi nuk përfshiu ndikimet e mundshme në fertilitet, vdekshmëri apo migrim, faktorë që mund të përkeqësojnë më tej situatën. Studiueset Gualdi dhe Muttarak shkruajnë se ky hendek midis brezave është alarmues dhe se drejtësia ndërbrezore duhet të jetë pjesë thelbësore e tranzicionit drejt një bote me zero emetime.

Nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të reduktuar emetimet, fëmijët e sotëm do të përballen me rreziqe gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rënda për jetën. / Live Science - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco