SYRI TV/ Rama përdor Jim Belushin për ‘kanabisin’, xhirime për realizimin e një dokumentari

14:50, 26/10/2022
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama ka avancuar me planin e tij për legalizimin e kanabisit. Pjesë të fushatës së lobimit për legalizimin e kanabisit, Kryeministri ka bërë edhe aktorin Jim Belushi. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Belushi zbuloi telefonatën e Ramës dhe pranimin e ofertës për t’u bërë pjesë e fushatës lobuese.

Nga SYRI TV

Kryeministri Edi Rama po përdor aktorin Jim Belushi për fushatën e legalizimit të kanabisit. Lajmin e konfirmoi aktori me origjinë shqiptare e me famë ndërkombëtare Jim Belushi, i cili tregoi për takimin me kreun e qeverisë gjatë një konference në ambientet e kryeministrisë: 

“Po bëj një program me 6 pjesë. Kam filmuar në Oregon në fermën time, në Çikago, në Boston, në Misisipi, Kaliforni e Arizonë. Më pas më erdhi një telefonatë nga Kryeministri i Shqipërisë që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit të eksportit të kanabisit. Kemi shkuar si fillim të takojmë Kryeministrin, kemi pasur një diskutim mjaft të këndshëm ku kemi diskutuar çështjen e kanabisit. Unë e di që Kryeministri ka një ligj që është ende në parlament dhe nuk është miratuar ende, është një gjë shumë interesante sepse sipas mendimit tim kanabisi është një bimë medicinale, e cila të shëron dhe ndihmon me shumë gjëra, me dhimbjet e kokës për shembull.”

Aktori prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri, për realizimin e një pjese të dokumentarit të ndarë në 6 pjesë, i cili do të transmetohet në Discovery Channel.

“Ne tregojmë se si ka qenë e mbyllur për 50 vite Shqipëria. Me atë lloj shtypjeje për një periudhë aq të gjatë kohore, gjëja e parë që shpërfaqet me lirinë është natyra artistike e njerëzve, ky është një vend shumë artistik.”

Artisti rrëfeu për Syri TV se ajo që e mban lidhur me Shqipërinë përtej origjinës, është zemërgjerësia e shqiptarëve.

“Origjina më lidh me Shqipërinë, babai, nëna, gjyshërit, kushërinjtë, lidhja emocionale që unë kam me njerëzit, bujaria, mirësia e po ashtu nga ana tjetër kultura, ushqimi i mirë, bukuritë natyrore.”

I pyetur nga Syri TV, për kinematografinë shqiptare dhe ecurinë e saj përtej kufijve, aktori tregohet entuziast për të nesërmen, ndërsa thotë se dokumentari do ndihmojë në njohjen e Shqipërisë në mbarë botën.

“Prodhimi i filmave dhe shpërndarja e tyre kudo është i vështirë, por kam besimin se aktorët do të përparojnë. Mënyra se si po e prodhojmë këtë dokumentar për Discovery Channel, do të tregojë Shqipërinë në versionin e saj më të mirë vendet e bukura të saj, bregdetin shqiptar. Kjo është mundësi për promovim.”

Sipas Belushit, arti duhet të jetojë me njerëzit, si një arsye e domosdoshme për të qëndruar në harmoni me gjithësinë. Aktori tha gjithashtu se vizita e ardhshme në Shqipëri nuk do të jetë e largët.”

Gazetar: E. Xhemali

Operator: F. Shahinlli

Montazh: N. Stafa

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco