Shkencëtarët mund të kenë zbuluar një të vërtetë të re për kolagjenin, proteinën më të bollshme në trupin e njeriut. Një studim i ri nga Qendra për Rregullimin Gjenomik (CRG) në Barcelonë sfidon një teori që ka mbizotëruar për më shumë se 60 vjet dhe mund të hapë rrugën për trajtime të reja kundër fibrozës dhe disa llojeve të kancerit.
Për dekada, kolagjeni është përshkruar si një strukturë e gjatë dhe e ngurtë që u jep forcë lëkurës, kockave, tendinave dhe organeve. Megjithatë, duke përdorur teknika të avancuara të imazherisë në qeliza të gjalla, studiuesit zbuluan se brenda qelizës kolagjeni nuk është i ngurtë, por formon pika të buta, të ngjashme me lëngun.
Sipas autorëve, kjo formë ndihmon qelizën të shmangë krijimin e fibrave të forta të kolagjenit në brendësi, të cilat do ta dëmtonin ose madje do ta shkatërronin atë. Vetëm pasi del jashtë qelizës, kolagjeni shndërrohet në fibrat e forta që mbështesin indet.
Studimi u përqendrua te prokolagjeni i tipit 1, forma pararendëse e kolagjenit më të zakonshëm në organizëm. Për vite me radhë, biologët nuk arrinin të shpjegonin se si kjo molekulë, shumë më e madhe se vezikulat që transportojnë proteinat brenda qelizës, arrinte të dilte jashtë saj.
Studiuesit propozojnë një teori të re, të quajtur "ekstrudim i lëngshëm". Sipas saj, kolagjeni nuk transportohet brenda vezikulave, por lëviz si një pikëz e lëngshme drejt daljes së qelizës, në një proces që i ngjan veprimit kapilar.
Një rol kyç në këtë proces duket se luan proteina TANGO1. Kur studiuesit e bllokuan atë, pikat e kolagjenit vazhdonin të formoheshin, por nuk arrinin të pozicionoheshin në vendin nga ku dalin jashtë qelizës dhe sekrecioni i kolagjenit u ul ndjeshëm.
Megjithëse teoria duhet të konfirmohet me studime të mëtejshme, zbulimi mund të ketë rëndësi të madhe për sëmundjet ku prodhohet kolagjen i tepërt, si fibroza e mëlçisë, mushkërive dhe lëkurës, si edhe për disa tumore që krijojnë një "mburojë" kolagjeni për t'u mbrojtur nga kimioterapia dhe sistemi imunitar.
Shkencëtarët besojnë se në të ardhmen mund të zhvillohen trajtime që pengojnë formimin ose transportin e kolagjenit, duke ndihmuar në luftën kundër fibrozës dhe duke rritur efektivitetin e terapive kundër kancerit. / Scitech Daily – Syri.net
© SYRI.net