Një studim i ri tregon se dëgjimi i muzikës së gëzueshme mund të ndihmojë fëmijët (dhe jo vetëm) të rikuperohen më shpejt nga të përzierat gjatë udhëtimit.
Të përzierat në makinë është një gjendje e zakonshme që shfaqet kur trupi, sytë dhe veshi i brendshëm i dërgojnë trurit sinjale kontradiktore, shpesh duke shkaktuar nauze, djersë të ftohta ose dhimbje koke.
Shkencëtarët nga Universiteti i Southwest-it në Kinë përdorën një simulator makinash për të provokuar të përzierat tek pjesëmarrësit dhe më pas testuan efektin e muzikës. Ata zbuluan se meloditë e gëzueshme dhe të buta ishin më efektive, duke ulur simptomat me rreth 57%, ndërsa muzika pasionante pati një efekt më të kufizuar. Muzika e trishtë, për habi, doli më pak efektive se të mos dëgjoje fare.
Dr. Qizong Yue, drejtuesi i studimit, tha se medikamentet ekzistuese shpesh shkaktojnë përgjumje, ndërsa muzika ofron një alternativë të lirë, joinvazive dhe të personalizuar. Ai shtoi se tensioni dhe ankthi para se të shfaqen simptomat shpesh i nxisin ato më shpejt, ndaj muzika mund të ndihmojë duke relaksuar ose shpërqendruar trurin.
Eksperimenti përfshiu 30 pjesëmarrës me histori të moderuar të përzierash në udhëtim. Ata u ndanë në grupe: disa dëgjuan lloje të ndryshme muzike, të tjerët nuk dëgjuan fare, ndërsa një grup ndaloi simulimin para se të ndiheshin sëmurë. Pjesëmarrësit mbanin gjithashtu pajisje EEG për të matur aktivitetin e trurit. Rezultatet treguan se aktiviteti në lobin okcipital ndryshonte gjatë pështjellimit, por kthehej drejt normales kur simptomat lehtësoheshin.
Studiuesit theksojnë se madhësia e vogël e mostrës kufizon fuqinë statistikore, ndaj nevojiten kërkime të mëtejshme me më shumë pjesëmarrës. Megjithatë, ata besojnë se gjetjet vlejnë edhe për të përzierat në udhëtim ajror apo detar.
Sipas dr. Yues: “Individët që përjetojnë të përziera gjatë udhëtimeve mund të dëgjojnë muzikë të gëzueshme ose të butë për të arritur lehtësim.” / Talker News - Syri.net
© SYRI.net