Nga John Burn - Murdoch/
Një nga zhvillimet më të rëndësishme të dekadës së fundit ka qenë përkeqësimi i shëndetit mendor te të rinjtë. Në shumë vende të botës është vërejtur një rritje e ndjeshme e raportimeve dhe diagnozave të gjendjeve si ankthi, autizmi dhe ADHD-ja, si edhe një rritje e fortë e përqindjes së atyre që deklarojnë se kanë një aftësi të kufizuar.
Dua ta bëj të qartë se këtë fenomen e marr shumë seriozisht. Rritja e shqetësimit psikologjik te të rinjtë është sigurisht reale, ajo shfaqet më qartë dhe më alarmueshëm në rritjen e mprehtë të shtrimeve në spital për vetëlëndim te vajzat adoleshente dhe gratë e reja.
Por ky sinjal i fortë dhe i kufizuar, vetëlëndimi është skaji më ekstrem i spektrit, është pika ku përfundojnë të dhënat me cilësi të lartë.
Prej disa muajsh kam shqyrtuar se çfarë tregojnë matjet e ndryshme të shëndetit mendor në vende, kontekste dhe komunitete të ndryshme. Pamja është gjithçka tjetër veçse e qartë, gjë që e vështirëson aftësinë e politikëbërësve dhe të shoqërisë për t’i kuptuar plotësisht, e jo më për t’iu përgjigjur këtyre ndryshimeve.
Në disa vende është rritur përqindja e të rinjve që raportojnë një sëmundje afatgjatë, ndërsa shëndeti i tyre i vetëvlerësuar ka mbetur i pandryshuar; në vende të tjera ndodh e kundërta. Një studim i publikuar javën e kaluar gjeti modele po aq kontradiktore: gjithçka varet nga pyetja që bëhet. Christoph Henking dhe Ben Baumberg Geiger zbuluan se, ndërsa është rritur ndjeshëm përqindja e të rinjve britanikë që raportojnë një sëmundje mendore, përqindja e atyre që thonë se një problem i shëndetit mendor ua kufizon funksionimin e përditshëm pothuajse nuk ka ndryshuar.
Ata propozojnë disa hipoteza për të shpjeguar këtë dukuri. Njëra, që më duket veçanërisht interesante, është “mjekësimi i sistemeve”: ideja se kuadrot e vjetruara dhe të ngurta në vendin e punës, në arsim dhe në sistemin e mirëqenies i detyrojnë njerëzit me çfarëdo niveli nevoje, qoftë ajo e rëndë apo e lehtë, e përhershme apo e përkohshme, të futen në një ndarje binare: “me aftësi të kufizuar” ose “pa aftësi të kufizuar”.
Më gjerësisht, të dhënat mbështesin fort idenë se shoqëritë po e kanë të vështirë të interpretojnë pasojat e uljes së stigmës dhe të rritjes së hapjes ndaj problemeve të shëndetit mendor.
Një nga modelet më të habitshme, që shfaqet në disa vende, është se grupe të ndryshme njerëzish i etiketojnë të njëjtat sjellje ose simptoma në mënyra shumë të ndryshme, dhe kjo ka ndryshuar me shpejtësi gjatë dekadës së fundit. Si në Britani, ashtu edhe në SHBA, rritja e raportimeve për probleme të shëndetit mendor ka qenë shumë më e lartë te të rinjtë sesa te të moshuarit dhe te njerëzit e majtë politikisht sesa te të djathtët. Por ndryshime të vogla në mënyrën se si formulohen pyetjet i zhdukin këto dallime.
Ndoshta prova më domethënëse është se, kur pyeten nëse do ta konsideronin si të sëmurë mendërisht dikë që përjeton luhatje të zakonshme të humorit, përgjithësisht i lumtur, por me momente shqetësimi, zhgënjimi ose humbjeje të vetëbesimit, më shumë se gjysma e të rinjve amerikanë përgjigjen po, krahasuar me vetëm një të pestën para 15 vitesh. Te të moshuarit nuk vërehet një ndryshim i tillë.
Ky ndryshim në mënyrën se si njerëzit e konceptojnë shëndetin mendor mund të shihet si diçka pozitive, rezultat i viteve të tëra përpjekjesh për të ulur stigmën dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe përfshirjen. Por, nëse ai po ndodh më shumë në disa grupe sesa në të tjera, do të shtrembërojë perceptimin tonë për atë që po përkeqësohet vërtet dhe për kë.
Duhet theksuar se kjo nuk do të thotë se rritja e problemeve të raportuara të shëndetit mendor është një iluzion. Përveç provave konkrete për vetëlëndimin, një interpretim tjetër i arsyeshëm është se grupet më të moshuara dhe më konservatore po përballen gjithashtu me vështirësi, por nuk priren t’i quajnë ato probleme të shëndetit mendor. Ndoshta shëndeti mendor është përkeqësuar vetëm te të rinjtë dhe te progresistët; ndoshta është përkeqësuar për të gjithë, por vetëm disa e përshkruajnë me këto terma; ndoshta për shumicën nuk ka ndryshuar shumë, por ka ndryshuar mënyra se si flasim për të; ose ndoshta vetë ndryshimi në mënyrën se si e konceptojmë shëndetin tonë mendor ndikon mbi të.
Thelbi është se matjet e paqëndrueshme dhe ndryshimet në mënyrën se si njerëz të ndryshëm e kuptojnë konceptin e shëndetit mendor bëjnë që gjendja e shëndetit mendor të të rinjve të jetë shumë më pak e qartë sesa mendojmë. Për hir të të gjithëve, nga individët me nevojat më urgjente deri te prindërit e shqetësuar dhe politikëbërësit, kemi nevojë për matje shumë më të mira dhe më të sakta të vështirësive psikologjike./FT – Syri.net
© SYRI.net