Krijohet analiza e re e gjakut me saktësi 83% në zbulimin e kancerit të zorrës së trashë

Krijohet analiza e re e gjakut me saktësi 83% në zbulimin e kancerit të zorrës së trashë

11:20, 15/03/2024
A+ Aa A-

Një studim premtues tregoi se një analizë gjaku e diagnostikoi kancerin kolorektal me një saktësi prej 83%, duke ofruar kështu një mundësi të re krahas analizave aktuale të jashtëqitjes.

Studiuesit kanë zhvilluar një analizë që mund të zbulojë kancerin kolorektal me 83% saktësi duke përdorur një mostër të thjeshtë gjaku, ka rezultuar në një studim të ri.

Saktësia e lartë e analizës së gjakut është e krahasueshme me analizat aktuale të jashtëqitjes në shtëpi.

Ekipi i publikoi gjetjet e veta në “New England Journal of Medicine”.

"Rezultatet e studimit janë një hap premtues drejt zhvillimit të mjeteve më të përshtatshme për zbulimin e hershëm të kancerit kolorektal, ndërkohë që ai kurohet më lehtë," tha në një deklaratë William M Grady, një gastroenterolog në Qendrën e Kancerit “Fred Hutchinson” me qendër në Seattle të SHBA.

“Analiza, e cila ka një shkallë saktësie për zbulimin e kancerit të zorrës së trashë, e ngjashme me testet e jashtëqitjes të përdorura për zbulimin e hershëm të kancerit, mund të ofrojë një alternativë për pacientët që mund të refuzojnë opsionet aktuale të kontrollit,” shtoi ai.

Analizat e jashtëqitjes janë mjeti diagnostikues që përdoret aktualisht dhe zbulon gjak ose ADN-në e dëmtuar në mostra.

Opsione të tjera përfshijnë sigmoidoskopinë dhe kolonoskopinë, të cilat përfshijnë futjen e një tubi në rektum dhe në zorrën e trashë.

Kolonoskopia konsiderohet si "standardi i artë" për ekzaminim. Kolonografia CT, e quajtur edhe kolonoskopia virtuale, përdor rrezet X për të zbuluar shenjat e kancerit.

Analiza e zhvilluar nga studiuesit zbulon në qarkullimin e gjakut, ADN-në e tumorit (ctDNA), ADN që derdhet nga qelizat kancerogjene.

Ajo u provua në gati 8,000 njerëz midis 45 dhe 84 vjeç, të cilët gjithashtu iu nënshtruan kolonoskopisë standarde me studiuesit që më pas krahasuan rezultatet.

Analiza e gjakut konfirmoi se 83.1% e pjesëmarrësve u diagnostikuan me kancer kolorektal, ndërsa 16.9 për qind morën një rezultat negativ me teknikën ctDNA, por dolën pozitivë duke përdorur kolonoskopinë.

Analiza tregoi ndjeshmëri më të lartë ndaj zbulimit të kancerit kolorektal, edhe në fazat e hershme, por shfaqi ndjeshmëri më të ulët në identifikimin e lezioneve të avancuara parakanceroze që kanë potencialin të zhvillohen në kancer me kalimin e kohës.

Kanceri i dytë më vdekjeprurës

Evropa ka një nga normat më të larta të incidencës për kancerin kolorektal.

Në BE, ai ishte kanceri i dytë më i shpeshtë pas kancerit të gjirit, duke përfaqësuar 12.7 për qind të diagnozave të reja të kancerit në vitin 2020 dhe shkaku i dytë i vdekjeve të lidhura me kancerin.

Ekzaminimi rekomandohet për të rriturit e moshës 50 deri në 69 vjeç, të cilët kanë një rrezik mesatar ose që nuk dihet se kanë një rrezik të lartë për shkak të faktorëve të ndryshëm, sipas udhëzimeve të Komisionit Evropian.

Megjithatë, ekziston një ndryshim midis vendeve evropiane. Në pak më shumë se gjysmën e vendeve anëtare të BE-së, shumica e popullsisë së moshës 50-74 vjeç nuk ishte kontrolluar kurrë për kancer kolorektal në vitin 2021, sipas Eurostat.

Finlanda, Holanda dhe Danimarka kishin norma ekzaminimi mbi 60 për qind ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Hungaria kishin norma nën 10 për qind.

“T’i vësh njerëzit të kontrollohen për kancerin funksionon më mirë kur ne u ofrojmë mundësi shqyrtimi dhe më pas i lëmë të zgjedhin atë që funksionon më mirë për ta”, tha Grady.

Sa më herët të bëhet diagnoza, aq më e lartë është shkalla e mbijetesës.

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), analizat mund të gjejnë polipe prekanceroze, duke bërë që ato të hiqen përpara se të shndërrohen në kancer.

Një diagnozë e hershme çon në një shkallë të mbijetesës mbi 90 për qind. Megjithatë, kur kanceri jep metastaza ose migron në pjesë të tjera të trupit, kjo normë bie në 25 për qind.

“Ne vazhdojmë të shohim të rinj me kancer kolorektal dhe tani është kanceri i tretë më i zakonshëm për njerëzit nën moshën 50 vjeç,” tha Grady. “Të kesh një analizë me bazë gjaku që njerëzit ta bëjnë gjatë vizitave rutinë te mjeku mund të jetë një mundësi për të ndihmuar më shumë njerëz të kontrollohen,” shtoi ai./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco