Në Shqipëri rreth 710 gra në vit diagnostikohen me kancer gjiri

Në Shqipëri rreth 710 gra në vit diagnostikohen me kancer gjiri

20:11, 23/10/2023
A+ Aa A-

55-vjeçarja Saime Grethi u diagnostikua papritur një vit më parë me kancer të gjirit, një sëmundje që çdo vit po prek qindra gra dhe vajza edhe në Shqipëri.

Saimja ishte sot bashkë me dhjetëra gra e vajza në manifestimin e organizuar si pjesë e "Muajit Rozë" për sensibilizimin në luftën kundër kancerit të gjirit. Edhe pse ka kaluar periudhën më të vështirë të jetës së saj, ajo thotë se, për hir të familjes luftoi fort ashtu si edhe shumë gra të tjera të diagnostikuara me kancer të gjirit.

“Të vështirë e pata momentin e diagnostikimit. Është diçka, që nuk është e mirë për askënd. Por gjithsesi, unë mblodha forcat dhe kam luftu për një vit. Më në fund, beteja u fitua dhe jam e kënaqur dhe jetën e shikoj me sy ndryshe sot”, thotë ajo.

Gjatë manifestimit të sotëm Saimja, duke treguar përvojën e saj, u bëri thirrje grave dhe vajzave që të bëjnë mamografinë për të mbrojtur veten dhe familjen e tyre.

“Ja dola. I bëj thirrje të gjitha grave të bëjnë ekzaminimin në kohë që pasojat të mos jenë fatale”

Të dhënat e fundit nga Instituti Shqiptar i Shëndetit Publik dhe Spitali Onkologjik flasin për afro 710 raste të reja me kancer të gjirit që diagnostikohen çdo vit në Shqipëri, me një vdekshmëri 192 raste në vit. Ndërsa rreth 300 gra dhe vajza i nënshtrohen operacionit në spitalin Onkologjik në Tiranë.

Megi Bilali, shefe e Shërbimit Parësor në Shkodër, thotë se, në përpjekjet për ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit të gjirit, është e rëndësishme që të përfshihen të gjithë dhe të arrihet të kuptohet se të kontrollohesh dhe diagnostikohesh në kohë, shpëton jetë.

“Një në tetë gra çdo vit diagnostikohet me kancer gjiri dhe, sidomos vitet e fundit, ne kemi pasur shifra pak alarmante. Prandaj, ne çdo vit, aktivitetet i zhvillojmë edhe më të mëdha dhe më të rëndësishme. Thirrja e të gjitha grave sot është për të bërë në kohë mamografinë dhe për të vënë shëndetin tonë të parin”, thotpë

Kurba në rritje e rasteve të diagnostikuara me kancerin e gjirit po prek kryesisht moshat nga 45-50 vjeç. Kjo, sipas specialistëve edhe për shkak të kryerjes me vonesë të mamografisë dhe diagnostikimit në fazë të vonë të sëmundjes.

Në Shqipëri spitalet rajonale janë pajisur vitet e fundit me aparaturat e mamografisë, ndërsa dy mamografi të lëvizshme shkojnë edhe në zonat e largëta rurale. Por, megjithë fuqizimin e këtij sektori dhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit, sipas mjekëve, ka ende shumë raste të hezitimit të grave për të bërë mamografinë, sidomos në zonat malore në veri të vendit, ku edhe paragjykimet janë më të mëdha./ VOA/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco