Proteina 'magjike' që ngadalëson plakjen dhe të mbron nga sëmundjet

Proteina 'magjike' që ngadalëson plakjen dhe të mbron nga sëmundjet

15:19, 04/09/2023
A+ Aa A-

A ka një mënyrë që të plakemi, por të qëndrojmë të shëndetshëm, pa sëmundje kronike që na shqetësojnë dhe ulin cilësinë e jetës?

Studiuesit australianë besojnë se kanë zbuluar sekretin e plakjes së shëndetshme në një proteinë “magjike” të vendosur në “zemrën” e qelizave që mund të luajë një rol kyç në kthimin e procesit të plakjes.

Studiuesit e Universitetit të Queensland kanë zbuluar se proteina ATSF-1, ka rolin e një rregullatori që mban ekuilibrin midis krijimit të mitokondrive të reja dhe riparimit të atyre të dëmtuara. Proteina kryesore që aktivizon, lokalizon dhe riparon mitokondritë e dëmtuara, mund të mbajë gjithashtu çelësin e antiplakjes, sipas hulumtimit të botuar në Nature Cell Biology.

Kujtohet se mitokondritë janë laboratorët e prodhimit të energjisë të trupit tonë. Këto organele të vogla brenda qelizave janë përgjegjëse për prodhimin e energjisë së kërkuar nga trupi i njeriut. Megjithatë, me kalimin e kohës, efikasiteti i mitokondrive zvogëlohet, duke rezultuar në mungesën e prodhimit të energjisë së nevojshme, për kryerjen e funksioneve të ndryshme qelizore. Për më tepër, nënproduktet toksike të aktivitetit mitokondrial kontribuojnë në shkallën e plakjes së qelizave.

“Në kushtet e stresit qelizor, kur ADN-ja mitokondriale është dëmtuar, proteina ATSF-1 ndërmerr “riparimet” duke promovuar kështu shëndetin dhe jetëgjatësinë qelizore,” shpjegon Dr Steven Zuryn, profesor i asociuar në Institutin e trurit të Universitetit të Queensland.

Studiuesit studiuan veprimin e ATFS-1 tek krimbat C. elegans dhe zbuluan se rritja e funksionit të tij promovonte shëndetin qelizor, gjë që praktikisht do të thoshte se krimbat mbetën vigjilent dhe të lëvizshëm për më gjatë.

“Krimbat C. elegans nuk jetuan më gjatë, por ishin më të shëndetshëm ndërsa plaken”, shpjegoi studiuesi, duke shtuar se “mosfunksionimi mitokondrial është në thelb të shumë sëmundjeve të lidhura me moshën, të tilla si demenca dhe sëmundja e Parkinsonit. Zbulimi ynë mund të kontribuojë në plakjen e shëndetshme dhe të ketë përfitime për njerëzit me sëmundje të trashëguara mitokondriale.”

Të kuptuarit se si qelizat ndërmarrin “riparimet” e mitokondrive të dëmtuara, është një hap i rëndësishëm përpara në identifikimin e mënyrave për të parandaluar dëmtimin mitokondrial dhe rrjedhimisht dëmtimin dhe plakjen qelizore.

Qëllimi përfundimtar i hulumtimit siç shpjegohet nga Dr Michael Dai nga Instituti i trurit i Universitetit të Queensland, është të zgjasë funksionin e shëndetshëm të indeve dhe organeve që normalisht bie me kalimin e kohës dhe procesit të plakjes, duke kuptuar rolin e mitokondrive në këtë proces.

“Mund të hartojmë përfundimisht ndërhyrje që e mbajnë ADN-në mitokondriale më të shëndetshme për më gjatë, duke përmirësuar kështu cilësinë e jetës sonë”, përfundon ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco