Shkurton deri në 15 vite jetë, mjekët paralajmërojnë rreziqet e diabetit tipi 2 dhe tregojnë kush janë më të riskuarit

Shkurton deri në 15 vite jetë, mjekët paralajmërojnë rreziqet e diabetit tipi 2 dhe tregojnë kush janë më të riskuarit

18:49, 15/08/2023
A+ Aa A-

Diabeti i tipit 2 duket se ka një ndikim të rëndësishëm në jetëgjatësinë në disa kategori pacientësh, siç tregon një analizë e re britanike. Studimi i ri i Shoqatës Evropiane tregon se diabeti i tipit 2 ka një efekt veçanërisht të rëndë në rrezikun e vdekshmërisë së parakohshme dhe në jetëgjatësinë e grave, të rinjve dhe duhanpirëseve.

Studiuesit analizuan të dhënat e 11,806 njerëzve nga të cilët 55% ishin meshkuj dhe mosha mesatare ishte 66.2 vjeç, në një studim që zgjati 10 vjet. Studiuesit krahasuan jetëgjatësinë e pjesëmarrësve me atë të popullatës së përgjithshme të së njëjtës moshë dhe seks. Më pas ata shikuan ndikimin e mundshëm të faktorëve demografikë dhe të stilit të jetesës në shkallën e vdekshmërisë dhe jetëgjatësinë e njerëzve me diabet të tipit 2. Analiza përfshinte gjithashtu historinë mjekësore të pjesëmarrësve nga viti 2010 deri në vitin 2020, ku  zbuluan se një grua me diabet të tipit 2 ka një shans 60% më shumë për të vdekur para kohe ndërsa vlerësohet të jetojë mesatarisht 5 vjet më pak se mesatarja për gratë në popullatën e përgjithshme. Burrat me diabet të tipit 2, nga ana tjetër, kanë një shans 44% për vdekje të hershme dhe do të jetojnë 4.5 vjet më pak. Pirja e duhanit dhe diagnostikimi në moshë të re u shfaqën gjithashtu si faktorë të rëndësishëm ndikues.

Rreziku i vdekjes së parakohshme u tregua se ishte 84% i rritur për njerëzit me diabet të tipit 2 krahasuar me popullatën e përgjithshme. Përveç kësaj, gratë me diabet të tipit 2 ishin një grup rreziku më i lartë krahasuar me pacientët meshkuj (96% kundrejt 74%). Ky zbulim i befasoi studiuesit, duke qenë se diabeti i tipit 2 mendohet të ndikojë më shumë në shëndetin e meshkujve sesa të femrave. Konkretisht, femrat përballeshin me një rritje prej 60% të rrezikut të vdekjes së parakohshme, ndërsa për meshkujt shkalla arriti në 44%. Në të njëjtën kohë, ata që u diagnostikuan me diabet të tipit 2 në moshë të re ishin në rrezik të konsiderueshëm. Zakonisht diabeti shfaqet tek personat e moshës së mesme dhe të moshuar, megjithatë fenomeni i shfaqjes së tij në moshat më të reja po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në mbarë botën vitet e fundit. Analiza zbuloi se njerëzit nën 65 vjeç me diabet kishin një rrezik 93% më të madh për vdekje të hershme dhe jetonin të paktën 8 vjet më pak se njerëzit e së njëjtës moshë në popullatën e përgjithshme. Nga ana tjetër, diabetikët mbi 65 vjeç rrezikonin të jetonin vetëm 2 vjet më pak, krahasuar me popullatën e përgjithshme.

Pirja e duhanit duket se ka efektin më negativ në jetëgjatësinë e njerëzve me diabet . Modelimi zbuloi se duhanpirësit diabetikë kishin 2.5 herë më shumë gjasa të vdisnin para kohe, ndërsa jetonin 10 vjet më pak se popullata e përgjithshme. Në të njëjtën kohë, jetëgjatësia e jo-duhanpirësve dhe ish-duhanpirësve u ul me 3 vjet. Modelimi zbuloi se një grua që pi duhan dhe diagnostikohet me diabet para moshës 65-vjeçare ka një rrezik 3.75 herë më të lartë të vdekjes së parakohshme dhe jeton 15 vjet më pak se një grua e së njëjtës moshë në popullatën e përgjithshme.

Miliona njerëz në mbarë botën janë diagnostikuar me diabet të tipit 2, forma më e zakonshme e sëmundjes, me numra që pritet të rriten në vitet e ardhshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco