Mali i Zi vendos përfundimisht ta ekstradojë ‘mbretin e kriptovalutave’ në Korenë e Jugut

Mali i Zi vendos përfundimisht ta ekstradojë ‘mbretin e kriptovalutave’ në Korenë e Jugut

17:48, 20/03/2024
A+ Aa A-

Shtetasi jugkorean Hyeong Do Kwon - një sipërmarrës i njohur si ‘mbreti i kriptovalutave’ - do të ekstradohet në Korenë e Jugut, jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), njoftoi të mërkurën Gjykata e Apelit e Malit të Zi, duke e përmbyllur një proces gjyqësor njëvjeçar për ekstradimin e tij.

Aktvendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit të mërkurën konfirmoi vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë për ekstradimin e Do Kwon në Seul.

Ai kërkohej nga SHBA-ja dhe Koreja e Jugut për mashtrim financiar me kriptovaluta.

Ai dhe partneri i tij i biznesit, Chang Jun, u arrestuan në Mal të Zi më 23 mars 2023, kur u përpoqën të udhëtonin në Dubai me një fluturim privat duke përdorur pasaporta të falsifikuara.

Kwon u dënua me nga katër muaj burgim për falsifikim të dokumenteve të udhëtimit. Dënimi i tij përfundon më 23 mars. Pas kësaj date, ai mund të ekstradohet.

Siç shpjegoi avokati i tij mbrojtës, Goran Rodiq për Radion Evropa e Lirë (REL), faza e dytë e procedurës së ekstradimit tani është duke u zhvilluar, ku ministritë e Drejtësisë dhe Policia e Malit të Zi dhe Koresë së Jugut po bien dakord për datën dhe kushtet për dorëzimin e Do Kwon.

‘Jemi të kënaqur me vendimin e Gjykatës së Apelit, i cili tregoi se respektohet sundimi i ligjit, për dallim nga organet dhe institucionet e tjera shtetërore që morën pjesë në këtë procedurë të ekstradimit’, thanë avokatët mbrojtës Rodiq dhe Marija Raduloviq.

Do Kwon parapëlqeu të ekstradohej në vendin e tij.

Partneri i tij në biznes, Chang Jun u ekstradua gjithashtu në Korenë e Jugut muajin e kaluar.

Autoritetet e Koresë së Jugut e akuzuan atë për mashtrim dhe shkelje të ligjit të tregut të kapitalit, dhe Komisioni amerikan i Shkëmbimit dhe Letrave me Vlerë (SEC) e akuzoi atë për orkestrim të një mashtrimi prej miliarda dollarësh të letrave me vlerë të aseteve kripto.

Gjyqi i padisë së Komisionit Amerikan është planifikuar të fillojë më 25 mars.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco